Ambasada e Izraelit në SHBA i ka publikuar emrat e çiftit që u qëlluan për vdekje në Uashington.
Emrat e tyre të plotë janë Yaron Lischinsky dhe Sarah Milgram.
Viktimat “ishin në kulmin e jetës së tyre”, ka shkruar ambasada në X.
“Një terrorist i qëlloi dhe i vrau ndërsa po dilnin nga një aktivitet në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit në DC”.
Ambasada thotë se stafi i saj është “zemërthyer dhe i shkatërruar” nga vrasja.
“Asnjë fjalë nuk mund të shprehë thellësinë e pikëllimit dhe tmerrit tonë për këtë humbje shkatërruese. Zemrat tona janë me familjet e tyre dhe ambasada do të jetë pranë tyre gjatë kësaj kohe të tmerrshme”.
Për vrasjen e tyre ka shkruar edhe Ministria e Jashtme e Izraelit.
“Jemi të tronditur dhe të tmerruar këtë mëngjes nga lajmi i sulmit brutal terrorist që mori jetën e dy anëtarëve të stafit të Ambasadës sonë në Uashington – Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim. Kujtimi i tyre qoftë një bekim”.
Kjo ministri tha se “diplomatët dhe përfaqësuesit izraelitë në të gjithë botën qëndrojnë në vijën e parë të përpjekjeve diplomatike të Izraelit – duke mbrojtur vendin me vetë jetën e tyre”.
“Ne nuk do të dekurajohemi nga terrori. Ne do të vazhdojmë misionin tonë në të gjithë globin, me një angazhim të palëkundur për të përfaqësuar Izraelin me krenari”.