Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, ka publikuar një letër, të cilën ia kishte shkruar Ramush Haradinajt në pjesën e parë të vitit 2018, gjatë kohës sa ky i fundit ishte kryeministër.
Krasniqi ka thënë se ka gabuar që letrën nuk e ka publikuar më herët, në kohën e duhur”, por se zhvillimet aktuale politike e kanë detyruar ta bëjë këtë gjë.
“Zhvillimet e fundit politike me detyruan që ta bej publike tani. Veprimi yt. Nuk është veprim i shqiptarit tradicional!”, ka shkruar Krasniqi.
Në letrën e tij, ai i ka kërkuar Haradinajt, që të merrte një vendim për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë Kosovës.
I kishte kërkuar që të mos merrej me presidentin turk.
Zyrtari i Nismës, me të cilën AAK-ja ishte në bashkëqeverisje, në letër i kishte thënë Haradinajt se mbase ai dhe familja e tij kanë marrë shumë edhe pa u dhënë ajo Kosova.
Letra e plotë e Jakup Krasniqit:
Letra është shkruar në pjesën e parë të vitit 2018. Ngjarjet që shtjellohen në te e konfirmojnë këtë. Pasi ishim në koalicion, nuk e publikova me kërkesën e dy drejtuesve të NISMËS Socialdemokrate (Kryetarit e Sekretarit të Përgjithshëm). Veprimet e tua, të kusarimit edhe në politikë, me detyruan që ta botoj pa konsultuar njeri. Me vije shumë keq, madje shumë keq, që këtë nuk e botova në kohën e duhur, por më mirë vonë se kurrë!
Zhvillimet e fundit politike me detyruan që ta bej publike tani. Veprimi yt. Nuk është veprim i shqiptarit tradicional!
Letër e hapët kryeministrit të Kosovës – Ramush Haradinajt
Zoti Kryeministër,
E njoh dhe e respektoj kontributin tuaj dhe të familjes Haradinaj për lirinë e pavarësinë e Republikës se Kosovës. E vlerësoj gjithçka që keni bërë për Kosovën dhe keni bërë goxha shumë si familje. Edhe Kosova nuk ju ka dhënë pak gjatë këtyre viteve, mbase keni marrë shumë edhe pa u dhënë ajo. Tani Kosova e kërkon një vendim tuajin të shpejtë. Vendimin për t’i dhënë një zgjidhjet të shpejtë vendit e kombit tonë. Mos u merr me Erdoganin e jashtëm! Edhe ai problemet i ka brenda shtetit të tij.
Kosova që sa vite është ne një krizë politike dhe institucionale, por kriza është thelluar nga përpjekja tinëzare e 20/21 dhjetorit 2017, për të zhbërë GJS, të bërë me vullnet për të pastruar UÇK-në?! Kriza vazhdoj edhe në vitin e ri 2018, e sidomos pas rastit Gjuriq i cili pa asnjë procedurë ligjore u largua nga vendi me veturat e policisë. Pa mbaruar mirë ai rast u përsërit një skandal edhe më i madh. Sipas të gjitha gjasave, rasti i parë në të parë shumë patriotik, i cili qenka bërë për t’u mbuluar skandali më i madh shtetëror me qytetarët turq, të cilët pa asnjë procedurë ligjore ju dorëzuan një pushteti me elemente të shumta pasigurie për jetët e tyre. Duhet ta dish se jeta e atyre njerëzve që janë kidnapuar e pastaj dëbuar është në rrezik dhe kjo është ditur paraprakisht, cilido që të ketë dhënë urdhër për një veprim anti kushtetues dhe tepër të dëmshëm për vendin dhe kombin, as ju nuk mund të amnistoheni lehtë. Disa gjera është dashur qe t’i kishe në mend! Pasi nuk ke hyrë ne një terren krejt të pa njohur e të pa provuar.
Unë po dua të besoj që ju nuk keni qenë në dijeni, por t’i je Kryeministër, e ke pushtetin më të fuqishëm ekzekutiv në vend dhe përgjegjësisë e ke, prandaj është shumë vështirë që t’i ikësh përgjegjësisë. Fuqinë ta garanton Kushtetuta. Unë jam njëri nga themeluesit e NISMËS Socialdemokrate. Partia ime ka qenë në koalicion me partinë tende para zgjedhjeve, ta kemi dhënë fjalën kur jemi dakorduar që të shkojmë në koalicion me PDK-në (në rrethana tepër urgjente), jemi në qeverisje dhe kjo na detyron moralisht që mos të kërkojmë mocion për mosbesim, por kështu nuk qeveriset vendi, kur tjetri t’i luan gurtë në lojën e shahut që duhet ta udhëheqësh ti. Ne një pozicion të tillë, lojën e shahut e ke te humbur, pasi ashtu po e dëshiron, urdhërdhënësi i AKI-së, i policisë dhe i RUSU-së. Ti e dinë mirë se nuk i drejton segmentet e përmendura edhe pse janë nën varësinë tuaj. Këtë pozitë që e ke në qeverisje nuk besoj që nuk e ke ditur. Opozita nuk i ka numrat për të të rrëzuar me mocion të mosbesimit. Je në atë gjendje, siç thuhet as në qiell e as në tokë. Vendi nuk guxon të mbetet ne një pozicion të tillë, rrugën e zgjedhjes e ke në duar. Zgjidhe! Ndihmoje zgjidhjen, sa më shpejtë aq më mirë.
Në një situatë të tillë kaotike nuk jam që të shkojmë në zgjedhje, pasi, sipas mendimit tim, ne një situatë të tillë, problemi nuk është te qeveria, por, problemi është te Kryetari i vendit i cili edhe po të mbaheshin zgjedhjet do të jetë aty ku është dhe pozita ceremoniale nuk i mjafton. Ai është duke e emituar Millosheviqin, pasi aty ku ishte ai ishte qendra e botës në Serbi e Federatën Jugosllave. Dhe vazhdimi i po kësaj situate edhe pas zgjedhjeve të mundshme, është krejtësisht i mundshëm, prandaj në ata segment (te sigurisë) duhet ndryshime të mëdha e të shpejta. Vendi ne një situatë të tillë duhet të eci ne një rrugë tjetër. Rrugë tjetër është qeveria teknike e përbërë nga të gjitha partitë parlamentare shqiptare. Një qeveri teknike një vjeçare e cila që në fillim duhet ta zvogëloj kabinetin qeveritar, në jo më shumë se 15 ministri e po aq zëvendësministra, duhet ta përgatitë një reformë zgjedhore që afron zgjedhje të drejta, të lira e demokratike, krijimi i një konsensusi nacional, reformimi i Sistemit të Drejtësisë dhe i AKI-së dhe pastaj shkuarjen në zgjedhje. Është koha që të gjitha partitë politike se bashku ta ndërprenë çdo formë të kusarisë në qeverisjen e vendit. Gjithashtu, partitë politike duhet të merren vesh që në diplomaci të vijnë vetëm njerëz që kanë dëshmi se e duan shtetin e tyre, të lirë, të pavarur, sovran e demokratik. Edhe në MJ e diplomaci kërkohet një reformë e thellë. Nëse vazhdohet gjatë me ketë logjikë të instaluar në institucionet e shtetit dhe në NP, falimentimi është në derë.
Nëse politika merret vesh për këto gjera, atëherë nuk do të jetë e rëndësishme se cila parti do të udhëheq me vendin. Po nuk arritëm t’i bëjmë këto gjera, ndërhyrjet nga të gjitha anët do të jenë të pashmangshme. Jam i bindur se edhe zyrtarët e lartë të NISMËS Socialdemokrate do ta japin kontributin e tyre. Ndonëse kjo që po e them është mendimi im personal është këshillëdhënës për ju dhe politikën në përgjithësi. Është në duart tuja dhe të politikës se Kosovës se cilën rrugo do ta ndiqni, atë të daljes nga kriza apo atë të thellimit të krizës. Vendi ka nevojë për mendim racional dhe veprime të guximshme për shtetin.
Po të isha në vendin tuaj, që nga sot do të angazhohesha natë e ditë, që të arrihet kjo marrëveshje në mes partive që përfaqësohen në Kuvend ose shumicën prej tyre. Do të isha i lumtur, nëse e merr seriozisht ketë këshillë të urtë e të sinqertë. Vendi e kërkon një Kryeministër teknik të një përgjegjësie të lartë, që i besojnë të gjithë dhe e donë pa hile kombin e shtetin. Unë besoj që një njeri i tillë mund të gjendet, por, vetëm nëse nga politika ka vullnet për ketë qasje dhe për ketë zgjidhje. Njerëzit e virtytshëm e bëjnë këtë për kombin e shtetin?! Për çka mendoni ju? Për shtetin apo për xhepin?
Gjithsesi pozita e vendit tonë në ketë gjeopolitikë me gjithë sigurinë kombëtare, e kërkojnë ngutshëm një marrëveshje të tillë. Ndonëse me Kryetarin e shtetit që e kemi, zgjedhja e rrugës që po e propozoj nuk është edhe e lehtë!
P. S.
Kjo që do e them në vazhdim, nuk vlen vetëm për ty, por për të gjitha ata që partinë politike e shohin si pronë private e jo si parti politike ideologjike me organe drejtuese vendimmarrëse.
Në vitin 2004 ose 2005, në një seminar në Slloveni, një profesor amerikan na e shkroi një fjali (e cila mund të këtë qenë e A. Ajnshtajn-it) e cila thoshte: “Ata që e krijojnë problemet, nuk mund t’i zgjidhin ato”. (Mund të jetë edhe parafrazim.) Pas sa viteve (15) po bindem në saktësinë e saj dhe po nënvizoj:
Ata që gjatë viteve të Pavarësisë e sollën këtë realitet, krijuan këto institucione zhurmuese e balon-niste, nuk e kanë asnjë mundësi të vetme që ta ndryshojnë këtë gjendje mjerane e të hidhur. Krijuesit e këtij realiteti, nuk mund ta ndryshojnë gjendjen që e krijuan, jo për një mandat, por as edhe 50 vjet po të mbesin në pushtet?! Dhe për këtë që po e them, as mua nuk me vije mirë, madje aspak mirë. Kosovës i duhen njerëz të virtytshëm, të edukuar me virtytin skënderbegian, që të ndryshojnë e zhvillojnë vendin tonë.