Udhëheqësi çeçen i kontrolluar nga Kremlin-i, Ramzan Kadyrov, ka qortuar anëtarët e CSTO-së se nuk kanë ndërhyrë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive ose ndryshe CSTO përfshin Rusinë, Bjellorusinë, Armeninë, Kazakistan-in, Kirgistan-in dhe Taxhikistan-in.
Lajmi u bë i ditur nga Kadyrov përmes një video-mesazhi në kanalin e tij ‘Telegram’.
“Ka një organizatë CSTO. Rusia nuk ka asnjë përfitim nga kjo organizatë. Dhe Rusia i ndihmon të gjithë. Të gjithë të ashtuquajturit liderë evropianë vijnë te Putin-i, negociojnë me telefon. Ata mbrojnë interesat e Ukrainës, ata janë bashkëpunëtorët e Ukrainës”, theksoi fillimisht lideri çeçen.
Kadyrov u kërkoi liderëve të ish-Bashkimit Sovjetik: “bashkohuni dhe thoni fjalën tuaj”.
“Nëse ka një shtet, nëse ka një aleat, ai duhet të vendosë dhe të marrë hapin e vet. Kush e shpëtoi Bjellorusinë? Rusia. Kush e shpëtoi Kazakistanin? Rusia. Kush e ndaloi luftën midis Armenisë dhe Azerbajxhanit? Rusia. Dhe kur Rusia ka nevojë për ta, të gjithë heshtin – nga frika prej sanksioneve”, u shpreh në përmbyllje të video-s Kadyrov.