Republika Islamike e Iranit posedon lloje të ndryshme të raketave balistike me rreze të shkurtër dhe rreze të mesme. Njëra prej këtyre llojeve mund të arrijë edhe në Evropë. Brenda rrezes së veprimit të kësaj rakete ndodhet edhe Kosova.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Irani e ka forcën më të madhe raketore në rajonin e Lindjes së Mesme. Në vitin 2015, qeveria amerikane kishte vlerësuar se Iranit i nevojiten vetëm tre muaj për të prodhuar material të bollshëm bërthamor për prodhimin e raketës nukleare.
Sipas BBC-së, Irani i ka pesë lloje të raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe një lloj me rreze të mesme.
Në mesin e raketave me rreze të shkurtër veprimi janë: Raketa “Shahab 1”, me rreze veprimi prej 300 kilometrash, raketa “Shahab 2” me rreze prej 500 kilometrash, raketa “Fateh 110” me rreze prej 300 deri 500 kilometrash, raketa “Zolfaghar” me rreze prej 700 kilometrash dhe raketa “Qiam 1” me rreze veprimi prej 750 kilometrash.
Përpos tyre, Irani e ka edhe raketën me rreze të mesme veprimi, “Shahab 3”, që mund të arrijë në largësi prej 2000 kilometrash.
Vija e kaltër paraqet rrezen e veprimit të raketës balistike “Shahab 3”.
Në bazë të hartës së publikuar nga transmetuesi publik britanik, brenda rrezes së veprimit të kësaj rakete ndodhen disa shtete evropiane, përfshirë edhe Kosovën.