Lirim Krasniqi nga organizata Germin ka treguar se ka një rënie të dukshme të numrit të votave me postë nga diaspora në balotazh, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor.
Ai po ashtu ka thënë se interesimi i diasporës për të votuar në zgjedhjet lokale ka qenë dukshëm më i vogël se në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
“Ka interesim më të vogël për të votuar me postë, ose nga diaspora. Kjo besoj se shpjegohet me faktin se zgjedhjet lokale nuk i afektojnë shumë pjesëtarët e diasporës, interesi për të votuar e për të marrë pjesë në vendimmarrje është më i vogël. Po ashtu nga të dhënat që kemi nxjerr nga KQZ-ja për komunat që kanë shkuar në balotazh. Në raundin e parë në këto komuna ka pasur 6449 vota valide përmes postës, ndërsa në këto zgjedhje, në balotazh për të njëjtat komuna, kemi 1485 pako me fletëvotime. E nëse në raundin e parë një pako që ka ardhur mes postës ka pasur mesatarisht 1.7 fletëvotime të vlefshme, i bie se në balotazh do të kemi afërsisht rreth 2500 vota valide me postë. Është dallim i madh krahasuar me raundin e parë, ka rënie prej 60 për qind”, ka thënë Krasniqi për KTV-në.
Ai ka treguar arsyet që mund të kenë ndikuar në këtë rënie.
“Çfarë vërejmë gjatë këtyre ditëve është se ka pasur mobilizim të partive të organizojnë udhëtime në Kosovë për votuesit potencial nga diaspora, në mënyrë që ata të votojnë direkt e jo përmes postës. Kjo mund të ketë ndikuar në rënie të numrit të votave me postë. Elementi i dytë është afati më i shkurtër i aplikimit për votuesit nga diaspora. Ndërsa i treti pasi votuesit nga diaspora mund të mos kenë gjetur veten te kandidatët që janë në balotazh dhe kanë vendosur të mos votojnë”, tha Krasniqi.