Kurti në vitin 2019 përkrahte sindikatat: Te unë do të gjeni partnerin çka s’e keni pasur asnjëherë

Po bëhen gjithnjë e më virale fjalët e kryeministrit Kurti para sindikalistëve të Kosovës në një tubim që kishin mbajtur në fund të vitit 2019 në një tryezë të organizuar nga partia e tij.

Ai aty sindikalistëve iu premtonte se te ai dhe Qeveria e tij në ardhje do të gjenin “partnerin çfarë nuk e kishin pasur asnjëherë me asnjë qeveri në këto vitet e pasluftës.”


Këto fjalë bëhen edhe më të rëndësishme pikërisht tash, në kohën kur ka përplasje të ashpra mes Qeverisë dhe mësimdhënësve që po kulmojnë me gjuhë të urrejtjes nga eksponentë të pushtetit.

Ndërkohë, Qeveria ka pezulluar pagat për të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të sektorit publik për shkak të grevës së përgjithshme që u shpall më 25 gusht.

Çka thoshte tjetër Kurti?

“Roli dhe rëndësia e sindikatave në Kosovë duhet të rritet. Ky është qëndrim i yni themelor. Në një shtet të mirëqenies sociale, sindikatat dhe shteti janë partnerë për ta rritur mirëqenien dhe standardin jetësor të punëtorët, dhe jo konkurrente të njëra-tjetrës. Ne duam që sindikatat të forcohen sepse të drejtat e punëtorëve mbrohen më së miri kur sindikatat janë të fuqishme. E sindikatat e fuqishme i mbrojnë punëtorët nga arbitrari i punëdhënësve, duke përfshirë edhe shtetin si punëdhënës.”