Kurti si të tjerët, fushatë në orar të punës e me vetura të shtetit

Pothuajse të gjithë kryeministrat e Kosovës dhe vartësit e tyre me radhë i kanë shfrytëzuar resurset shtetërore për fushatë zgjedhore.

Pjesëmarrja në fushatë gjatë orarit të punës e përcjellja me vetura zyrtare gjatë aktiviteteve zgjedhore është keqpërdorim për të cilin Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte lënë kritikë pa bërë për secilin ish-pushtetar.

Të tilla paraqitje, Albin Kurti i kishte kritikuar zëshëm gjatë kohës që kishte qenë në opozitë, por tash në pushtet po përsërit veprimet e ngjashme.

Në mes të ditës e në kohën kur do të duhej të ishte në Qeveri, kryeministri i Kosovës me veturë zyrtare e në përcjellje të mbrojtjes së afërt mbërriti në Podujevë për fushatë zgjedhore.

Njësoj, po të mërkurën, u paraqit edhe në Prizren.

Se a do të bëhet kompensimi i shpenzimeve të shtetit për fushatën e LVV-së nuk janë përgjigjur nga Qeveria e Kosovës.

Por, për to foli kryeministri Kurti në fushatë, i cili tha se keqpërdorimi i resurseve të shtetit nga Qeveria tij me ato parapraket dallon në sasi.

“Nuk mund të them që ne jemi duke keqpërdorur as për së afërmi dhe as ngjashëm sikurse që është bërë me qeveritë të cilat ne i kemi kritikuar, ekonomia po rritet, tatim mbledhja është shtuar pikërisht për shkak që Qeveria nuk ka korrupsion. Ndërkaq me veturat me të cilat ne vijmë, ta zëmë unë, janë protokolle të Qeverisë për të cilat nuk vendosi unë”, tha Kurti.

Përveç kryeministrit, gjatë orarit të punës për të cilin paguhen, në fushatë janë përkushtuar edhe ministrat, që sipas Erblin Hoxhës, nga Lëvizja Fol, është keqpërdorim tjetër i resurseve shtetërore.

Hoxha kërkoi që të ndalet keqpërdorimi i veturave të shtetit dhe kryeministri bashkë me ministrat e tij fushatën ta bëjnë pas orarit të punës.