Me dorëheqjen e Johnson, konservatorëve do t’i duhet të zgjedhin një lider të ri, proces që mund të kërkojë rreth dy muaj. Por cilët janë disa prej emrave që qarkullojnë si pasues të mundshëm të politikanit karizmatik që nuk do të marrë vetëm drejtimin e partisë, por më vonë në vjeshtë edhe frerët e Britanisë së Madhe.
Në krye të listës qëndron Liz Truss, sekretarja për Punët e Jashtme dhe një emër i dashur i konservatorëve, e cila ka kryesuar rregullisht sondazhet e pjesëtarëve të partisë në websajtin e konservatorëve.
Ajo ka kultivuar me shumë kujdes imazhin publik dhe vitin e kaluar u fotografua në një tank duke risjellë në kujtesë një imazh të famshëm të gruas së parë kryeministre Margaret Thatcher në vitin 1985.
Fillimisht sekretare e tregtisë ndërkombëtare, mbështetësja e Brexit u emërua vitin e kaluar si kryenegociatore e Britanisë së Madhe me Bashkimin Europian.
Një tjetër kandidat është Jeremy Hunt, ish sekretar i punëve të jashtme që doli i dytë në garën për lidershipin e partisë në 2019-tën. 55-vjeçari do të ofronte një stil më serioz e më pak kontrovers qeverisjeje se sa Johnson.
Ministri i Mbrojtjes Ben Wallace është bërë së fundmi një prej anëtarëve më popullorë të qeverisë, falë menaxhimit të krizës në Ukrainë. Një ish ushtar, ai ka shërbyer në Irlandën e Veriut, Gjermani, Qipro dhe Amerikën Qendrore.
Ministri i Financave Rishi Sunak ishte deri vitin e kaluar favorit për të pasuar Johnson pasi u vlerësua për paketën e shpëtimit të ekonomisë gjatë pandemisë së koronavirusit. Por ai u përball me kritika për faktin se nuk i dha familjeve mbështetje të mjaftueshme për kostot e jetesës, për statusin e taksave të gruas së tij të pasur dhe gjobës që bashkë me Johnson mori për shkelje të rregullave të Covid-19.
Mes pasuesve të mundshëm të Johnson përmendet edhe Nadhim Zahawi, ministri aktual i Financave. Ai la përshtypje të mira si ministër i vaksinave kur Britania pati një prej fushatave më të shpejta të imunizimit kundër koronavirusit në botë.