Pranë rrethrrotullimit që lidh rrugën B dhe C në Prishtinë, ka disa ditë që janë grumbulluar mbeturinat.
Kjo ka ndodhur si pasojë e largimit të kontejnerëve nga kjo zonë. Sipas banorëve, kjo paraqet shqetësim për ta, sepse krahas kundërmimit, mbeturinat e grumbulluara po rrezikojnë edhe shëndetin e tyre.
Ndërkaq nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në kryeqytet, kanë thënë se largimi i kontejnerëve është bërë si pasojë e punimeve që janë duke u zhvilluar në rrethrrotullimin që bashkon rrugën B dhe atë C.
Ata kanë njoftuar se nuk do të bëhet rivendosja e tyre në këtë zonë, teksa pritet të vendosin tabela informuese, ku kërkojnë nga qytetarët që të mos hedhin hedhurina. Në anën tjetër, nga Kompania Rajonale “Pastrimi”, nuk kanë dhënë një afat të caktuar se kur do të bëhet largimi i mbeturinave.