Diskutimet aktuale për ndryshimin e ligjit zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë janë bërë mollë sherri mes ambasadës së Izraelit në Kroaci dhe asaj të Iranit në BeH.
Siç raporton mediumi kroat, Index Hr, ambasada e Izraelit në BeH, selia e së cilës është në Tiranë, shpërndau një deklaratë në rrjetin social Twitter, në mbështetje të partive kroate për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Kjo nuk i ka pëlqyer aspak ambasadës së Iranit në Sarajevë duke e quajtur ambasadën izraelite “regjim zionist i aparteidit” dhe “të pakualifikuar” për të komentuar fatin politik të BeH.
Ministrja e Jashtme e BeH, Bisera Turkoviç, i dërgoi demarsh Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tel Aviv dhe ambasadës së tyre në Tiranë, ku dënonte deklaratën në mbështetje të qëndrimeve të partive kroate.
“Çdo mbështetje për reformën zgjedhore që do të diskriminonte qytetarët për shkak të përkatësisë etnike apo fetare, padyshim që është refuzuar nga shumica e partive parlamentare në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shkruar ndër të tjera Turkoviç.
Tel Avivi dhe ambasada në Tiranë nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje për postimin iranian në Twitter.
Ambasadori izraelit në Zagreb, Ilan Mor, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me postimin e diplomatëve iranianë.
Ai e ka quajtur të “ndyrë” dhe “të rrezikshme” ambasadën iraniane duke shtuar se nuk janë të thirrur të japin mendim për asnjë gjë.
Megjithatë, Mor nuk u përfshi në diskutime rreth përmbajtjes së deklaratës së publikuar nga ambasada izraelite në BeH.
Politikanët boshnjakë kanë kërkuar sqarime shtesë nga Izraeli. Ata besojnë se kushtetuta e BeH vendosi një sistem të qëndrueshëm të ndarjes së pushtetit midis popujve përbërës dhe përfaqësuesve të tyre politikë, i cili duhet të sigurojë dy parime kyçe: barazinë dhe mosdiskriminimin.