MD tregon çfarë ndryshime ka bërë në Projektkodin Civil, VV po “koordinohet” me deputetët e vet për ta votuar

Janë bërë më shumë se një vit prej kur ka dështuar miratimi i Projektkodit Civil që rregullon martesën mes personave me gjini të njëjtë. Ministrja Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar të VV’së, që Kodi Civil të votohet.

Nga ministria që udhëhiqet nga Haxhiu, kanë thënë për Express se posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim. MD ka treguar edhe për ndryshimet që janë bërë në këtë projektkod.

Në mars të vitit të kaluar, projektkodi civil, nuk kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme nga deputetët e Kuvendit. Kundër këtij projektkodi patën votuar deputetët e partisë në pushtet, por edhe deputetë nga subjektet tjera.

Ministria e Drejtësisë, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se drafti i Kodit Civil është i finalizuar me ndryshimet “adekuate” në nenin 1138 dhe se posa të finalizohet në Zyrën e Kryeministri, ai do të bëhet publik dhe do të procedohet për votim.

“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Ministria e Albulena Haxhiut ka treguar edhe ndryshimet që janë bërë në këtë projekt kod.

“Ndryshimet në Kodin Civil janë: Parimeve dhe barazisë të gjithë qytetarëve para ligjit dhe mos-diskriminimi; Burimet e së drejtës civile; Harmonizimi me direktivat e BE-së dhe Acquis comunitares dhe standardet tjera ndërkombëtare;

-Harmonizimi i dispozitave ligjore të ligjit për detyrimet duke i evituar konfliktet e ligjit dhe paqartësitë; Sqarimi dhe lehtësimi i zbatimit të ligjit – dispozitave për kontratat që do të ndikon edhe në të bërit biznes dhe sigurinë më të madhe të qytetarëve; Janë saktësuar afatet e parashkrimit (humbjes ) së kërkesave – të drejtave nëse ato nuk kërkohen me kohë, p.sh borxhit, përmbushjes së kontratave, kompensimin e dëmit etj;

-Janë sqaruar të drejtat pronësore; Shumë aspekte të mënyrave të fitimit të pronësisë janë përfshi si dispozita të reja që nuk kanë qenë deri me tani p.sh fitimi i pronësisë me vendim të organit shtetëror, me bashkimin e sendeve’

-Është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare; Është siguruar një mbrojtje më e mirë e të drejtave pronësore për gratë, ku pasuria është e barabartë 50%:50% për secilin bashkëshortë; Është arritur një siguri më e madhe e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëshortit/es gjatë shkurorëzimit; Të drejtat e fëmijëve janë rregulluar në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare që gjithmonë të mbrohet interesi më i mirë i fëmijëve, duke i dhënë mundësi edhe fëmijës 6 vjeçare që të dëgjohet në çdo procedurë kur vendoset për interesat; Çështja e martesave të personave me sekse të njëjta dhe bashkëjetesave civile është adresuar ashtu që do të rregullohet me ligj të veçantë;

-Janë hartuar dispozita ligjore që garantojnë barabarësinë efektive në trashëgimi duke u siguruar që edhe gratë të arrin ti realizojnë më mirë të drejtat e trashëgimisë (edhe pse kjo e drejtë ka qenë e garantuar, me Kodin Civil janë paraparë dispozita që e sigurojnë secilin në gëzimin e të drejtës së tij/saj me një procedurë transparente par noterëve dhe gjykatave); Heqja dorë nga trashëgimia si e drejtë e trashëgimtarëve, mund të bëhet vetëm duke u siguruar një procedurë transparente dhe njoftuar palët/trashëgimtarët me pasojat që ka heqja dorë; Bashkëshortët që jetojnë në Bashkëjetesë të cilët nuk kanë lidhur martesë dhe nuk kanë metresë me persona tjerë, e kanë të drejtën e trashëgimisë nëse kjo bashkësi ka zgjatur 5 vite, ndërsa në rastin kur kanë fëmijë të ketë zgjatur 3 vite”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërsa para dy javësh, ministrja Haxhiu ka thënë se janë në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që Kodi Civil të votohet.

“Ju e dini se unë kam dhënë qëndrim sa i përket Kodit Civil dhe unë kam dhënë qëndrim sa i përket rrëzimit nga ana e Kuvendit, megjithatë ka qenë nën mandatin e tyre që ta vlerësojnë ashtu, paraprakisht ne duhet të sigurohemi që Kodi Civil kalon dhe për këtë arsye kjo na ka marrë kohë sepse jemi në koordinim me deputetët e Grupit Parlamentar dhe natyrisht se kemi nevojë edhe për ndihmën e opozitës”, tha ajo.

Afatet e “harruara” të Glauk Konjufcës e Mimoza Kusarit

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila në fillim të shtatorit të vitit të kaluar tha se ky projektkod në vjeshtë vjen sërish në Kuvend.

“Projektkodi vjen sërish në vjeshtë, një dokument i rëndësishëm, i dyti pas kushtetutës në raport të rregullimit të jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje… Para tetorit nuk besoj që ka shansë teorike”, kishte deklaruar Kusari – Lila , në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si afat kishte përmendur periudhën para Vitit të Ri.

“Po unë mendoj që para Vitit të Ri, kështu kanë qenë fjalët. Te shohim. Të them të drejtën, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës dhe as nuk mendoj që duhet me qenë. Ne po flasim për do orientime vlerore afatgjata. Ke me i vendos do baza e standarde që s’ke me mujt me i hjek më, mundesh me rregullu atë punë me kompletu, por jo me…sepse është e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini.

Pavarësisht deklaratave, as në vjeshtë, as para vitit të ri, projektkodi civil nuk u dërguar për votim në Kuvend.