Të dështuara dhe të vdekura i ka konsideruar presidenti Ilir Meta përpjekjet, sipas tij, për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe nëpërmjet saj edhe kapjen e të gjithë sistemit të drejtësisë.
“Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri sesa Kushtetuta, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekja për të dhunuar Kushtetutën në përpjekje për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura”, theksoi Meta.
Meta theksoi se nuk ka asnjë konflikt institucional dhe kushtetues pasi çdo konflikt “është tërësisht i zgjidhur për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën”.
“Askush të mos guxojë të prekë Gjykatën Kushtetuese”, tha Presidenti, teksa shtoi se “do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe Presidentit që t’i tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.