Në shtator të këtij viti, për një javë, në Kosovë do të qëndrojë organizata “Gift of Life”, ku mjekët e kësaj organizata do të operojnë falas fëmijët me anomali në zemër.
Kjo gjë u kuptua nga takimi i realizuar në kuadër të përgatitjeve dhe koordinimit të punëve, të cilin e zhvilloi ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi me Albana Krasniqin e cila është drejtoreshë e organizatës së lartëcekur dhe aktivistin Mazllum Belegu.
“Ky takim është realizuar në kuadër të përgatitjeve dhe koordinimit të punëve, për ardhjen e ekipit të mjekëve nga data 10 deri më 17 shtator 2022, në Prishtinë, dhe të cilët janë pjesë e organizatës Gift of Life. Ky ekip i mjekëve do të operojnë falas disa fëmijë, të cilët kanë probleme në zemër, dhe që shërimi i tyre tashmë është bërë i mundur në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Operacionet që do të kryhen falas nga ekipet e “Gift of Life” nuk janë të mundshme të bëhen nga mjekët në Kosovë, por janë edhe tejet të kushtueshme.