Një grua 40-vjeçare, shtatzënë në muajin e 8, ka mbetur e bllokuar për rreth 40 minuta në ashensor, në një objekt banesor në Prishtinë, pasi që është ndalur energjia elektrike.
Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar nga Qendra e Zjarrfikësve në Prishtinë.
“Na informatën e kemi pranu prej Policisë, në rrugën ‘Ahmet Korenica’ për një ashensor, në orën 19:45. Në moment që e kemi marrë lajmin kemi shku, afërsisht kah ora 20:01 e kemi kry dhe kemi vazhdu, kemi pasë në ndërkohë edhe 3, 4 ashensorë të tjerë. Po, një grua shtatzënë ka qenë”, tha shefi i ndërrimit.
Një sinjalizues ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se gruaja shtatzënë ka mbetur e bllokuar në ashensor për 40 minuta.
Sipas tij, arsyeja e bllokimit të ashensorit është ndalja e rrymës, ani pse ai thotë se KEDS-i ka lajmëruar se energjia elektrike do të ndalet në orën 18:00, ajo është ndërprerë në orën 19:20.
Ai ka fajësuar kompaninë mirëmbajtëse të objektit “Buna”, për të cilën thotë se nuk e ka rregulluar ashensorin.
“Kompania mirëmbajtëse e objektit ‘Buna’ totalisht e papërgjegjshme, duke mos u përmbajt kontratës dhe duke mos e rregullu ashensorin që kur të ndalet rryma të hapet automatikisht”, tha ai.
Gazeta Sinjali ka provuar që të marrë versionin e kompanisë në fjalë, por pronari i saj ka refuzuar të flasë për këtë rast, duke thënë se nuk qëndron ajo çfarë kanë thënë banorët.
“Dëgjo, nuk kisha dashtë me u marr me këtë punë, se nuk është siç ka thënë ai zotnia. Nuk ka nevojë. E kemi një avokat na të kompanisë, që doni bisedoni nesër, pasnesër me të dhe e shohim ma tutje…”, tha ai dhe e mbylli telefonin.