Imane Khelif, boksierja algjeriane në qendër të polemikave pas ndeshjes së saj me italianen Angela Carini në Lojërat Olimpike, ka folur për herë të parë në lidhje me sulmet ndaj saj.
Në një intervistë në gjuhën arabe për SNTV, ajo lëshoi një paralajmërim të fortë për kritikët e saj, të cilëve u kërkoi që të mos e bullizojnë.
“I dërgoj një mesazh të gjithë njerëzve të botës që të respektojnë parimet olimpike dhe Kartën Olimpike, të përmbahen nga ngacmimi i të gjithë sportistëve, sepse kjo ka efekte, efekte masive. Mund të shkatërrojë njerëzit, mund të vrasë mendimet, shpirtin dhe mendjen e njerëzve. Mund të ndajë njerëzit. Dhe për shkak të kësaj, i kërkoj që të përmbahen nga bullizmi. Komentet për gjininë time janë të dëmshme për dinjitetin njerëzor”-u shpreh ajo.
25-vjeçarja Khelif e pranoi presionin dhe dhimbjen e kësaj sprove ndërsa konkurronte larg shtëpisë në ngjarjen më të rëndësishme të karrierës së saj atletike.
“Unë jam në kontakt me familjen time dy ditë në javë. Shpresoj që të mos jenë prekur. Ata janë të shqetësuar për mua. Dashtë Zoti, kjo krizë do të kulmojë me një medalje të artë dhe kjo do të ishte përgjigja më e mirë”- tha ajo.
Polemikat u ndezën pas pretendimeve nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit, e cila deklaroi se Khelif ishte përjashtuar një vit më parë nga kampionati i boksit për femra, pasi dështoi në testet e papërcaktuara të përshtatshmërisë për konkurrencën e femrave në kampionatin botëror të vitit të kaluar.
Khelif nuk pranoi të përgjigjej kur u pyet nëse ajo kishte kryer teste të tjera përveç testeve të dopingut, duke thënë se nuk donte të fliste për këtë.
Ajo shprehu mirënjohjen për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe presidentin e tij, Thomas Bach, që qëndruan me vendosmëri pas saj.
Khelif filloi garën e saj olimpike të enjten e kaluar me një fitore ndaj Angela Carinit të Italisë, e cila e braktisi meçin pas vetëm 46 sekondash. Carini më vonë tha se ishte penduar për vendimin e saj dhe dëshironte t’i kërkonte falje Khelifit.