Dita e nesërme do të jetë historike për Tiranën, pasi për herë të parë do të zhvillohet një samit i përmasave të tilla, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët europianë. Tirana ka nisur përgatitjet për këtë ngjarje historike, ku në pallatin e kongreseve ka nisur edhe vendosja e skenës, shoqëruar edhe me logon e samitit.
Në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ janë vendosur foto të disa liderëve dhe figurave që kanë shënjuar historinë e Europës nga Winston Churchill deri te Angela Merkel, por nuk mungojnë as figurat shqiptare si shkrimtari Ismail Kadare. Atmosfera e ‘festimeve’ është shtrirë edhe në rrugët e kryeqytetit, në të cilat janë vendosur flamujt e BE-së dhe Shqipërisë.
Në pallatin e Kongreseve do të zhvillohet edhe konferenca e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama, presidentes së KE-së, Ursula Von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Një pjesë e liderëve europainë pritet që të mbërrijnë në vendin tonë që prej ditës së sotme. Në total pritet të vijnë 32 delegacione, ndërsa bllokimi i rrugëve do të nisë që ditën e sotme për të siguruar mbarëvajtjen e samitit.
Gjithçka pritet të nisi rreth orës 10 të mëngjesit, ndërsa pritja e liderëve do të bëhet tek sheshi Italia dhe do të drejtohen drejt hotelit Mariotit tek stadiumi ‘Air Albania’. aty ku do të zhvillohet edhe mbledhja e samitit.
Mbledhja do të ketë një ndërprerje rreth orës 13:00 për të vijuar me hapësirën e drekës, ndërsa rreth orës 15:00 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama, presidentes të Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel. Samiti do të pasqyrohet nga media të rëndësishme nërkombëtare, ndërsa deri më tani rreth 300 gazetarë janë akredituar nga e gjitha Europa për të qenë të pranishëm në samit.