Operacion i RENEA-s, dalin pamjet e arrestimit të Endrik Llukës në Gjirokastër

Forcat Speciale RENEA arrestuan në orët e para të mëngjesit të sotëm Endrik Llukën, i akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij Dorian Lluka tre vite më parë.

Operacioni u krye në fshatin Shtepëz të Gjirokastrës, ku Llukës iu gjetën gjithashtu edhe një snajper dhe një pistoletë në banesë.

Lluka akuzohet se vrau kushëririn e tij Dorian Lluka pas konfliktit për një borxh 500 mijë lekë.

Ngjarja

Krimi ndodhi tre vite më parë, përgjatë rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë.

Fillimisht u dha si pistë kryesore ajo e një konflikti pronësie, por duket se krimi ka të bëjë me një shumë parash të pakthyera.

Nga të dhënat rezulton se dy vëllezërit Lluka kanë qenë të parët, të cilët kanë provokuar konfliktin.

Në kryqëzimin që ndan aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë me fshatin Humelicë në perëndim dhe fshatin Andon Poci në lindje, ata janë ndeshur me Endrik Llukën.

Të dyja palët ndodheshin me makina.

Në moment, pasi kanë ndaluar, dy vëllezërit dyshohet se i kanë kërkuar paratë e borxhit Endrik Llukës.

Në debat e sipër, dy vëllezërit akuzohen se e kanë kërcënuar me thikë 28- vjeçarin.

Ky i fundit ka mundur t’u shpëtojë nga duart dy vëllezërve dhe ka hyrë brenda në makinën e tij, nga pjesa e pasagjerit, ku ka rrëmbyer pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të vëllezërve.

Këta të fundit gjendeshin ngjitur me makinën e Enrikut dhe aty ngelën të gjakosur.

Policia konfirmon se makina e zezë “Benz” e gjetur në vendngjarje është e autorit të krimit. Ndërsa dy vëllezërit kanë qenë me një tjetër mjet, me të cilin dikush i ka transportuar drejt spitalit.

Ngelet mister se kush ka qenë personi që ka marrë nën kontroll makinën e viktimave duke i shoqëruar ata në gjendje të rëndë drejt spitalit të
Gjirokastrës.

I gjendur nën panik, agresori Endrik Lluka është larguar menjëherë nga vendngjarja, duke lënë pas automjetin e tij “Mercedec Benz” në vendin ku ngelën të gjakosur vëllezërit Lluka.

Dëshmitarët okularë pohojnë se Enriku është larguar në drejtim të fshatit Andon Poci ku mendohet se strehohet në zonën e pyllëzuar malore të krahinës së Odries, në kufi me Tepelenën.