Organizohet protestë për përjashtimin e profesorit Bekim Bejta nga UP-ja – akuzohet nga studentët për dhunë dhe shantazh ndaj tyre

Lëvizja Feministe Studentore ka paralajmëruar protestë të mërkurën pranë Fakultetit të Filologjisë për përjashtimin e profesorit Bekim Bejta, i akuzuar për dhunë dhe shantazh ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Në njoftimin e lëshuar në Facebook, thuhet se protesta e paraparë të nisë nga ora 11:00, do të mbahet për shkak të shqetësimit për mospërjashtimin e menjëhershëm të Bejtës nga Universiteti.

“Profesori Bejta i angazhuar në departamentin e Gjuhës angleze, pranë Fakultetit të Filologjisë në UP, vazhdon të japë mësim aty, përkundër raportimit dhe dëshmive që i njëjti ka ushtruar dhunë sistematike në forma të ndryshme ndaj studenteve. Në raportimin ndaj tij, është edhe dyshimi për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe krime seksuale me studente. Ne, studente e studentë të UP-së dhe qytetare e qytetarë të këtij vendi jemi të shqetësuar me mospërjashtimin e menjëhershëm të Bejtës nga UP-ja, çka është duke ia mundësuar atij të kryejë edhe vepra të tjera kriminale”, thuhet në njoftim.

Përveç përjashtimit, është kërkuar edhe arrestimi i menjëhershëm i Bejtës dhe fillimi i hetimeve për kërcënimet ndaj studenteve.

“Ne, të mërkurën i kundërvihemi kësaj gjendje dhe organizohemi në solidaritet me studentet e Fakultetit Filologjik dhe kërkojmë nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ta shkarkojnë menjëherë nga pozita zyrtare si profesor i asociuar, Bekim Bejtën. Përveç kërkesës për përjashtimin e tij, ne kërkojmë edhe arrestimin e tij të menjëhershëm dhe fillimin e hetimeve për kërcënimet ndaj studenteve. Ne nuk mund të rrimë duarkryq përderisa studente e studentë janë duke u ndierë të pasigurt pikërisht në hapësirat ku ato/a do duhej të ishin të lira/ë. Ne nuk mund ta tolerojmë normëzimin dhe institucionalizim e mëtejshëm të dhunës. Andaj, ju ftojmë në protestë studente e studentë e të gjithë qytetaret/ët”, thuhet më tej në njoftim.

Në të njëjtën ditë do të mbahet marsh simbolik në shenjë pakënaqësie ndaj menaxhmentit të UP-së për mosndëshikimin e këtij profesori edhe nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë.

Në njoftimin e lëshuar nga ky këshill në Facebook, thuhet se marshi do të fillojë nga ora 10:00 para Fakultetit të Filologjisë, do të vazhdojë drejt Rektoratit dhe në fund para Ministrisë së Arsimit.

Image
Në anën tjetër, Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka marrë vendim që të bojkotohen ligjëratat më 12 prill.

“Sot pas mbledhjes së mbajtur nga Këshilli Studentor i Filologjisë, u vendos nga shumica absolute të bojkotohen të gjitha ligjëratat ditën e mërkurë, nga anëtarët e Këshillit Studentor. Në rast se të mërkurën nuk ka një vendim të prerë, atëherë do filloj bojkotimi i ligjëratave edhe nga shumica e këshillave të tjera studentore dhe jo për shumë kohë do bëhet thirrja e përgjithshme për bojkotim të plotë të ligjëratave nga të gjithë studentët e UP-së, deri në përjashtimin e Bekim Bejtës nga Fakulteti i Filologjisë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë.