Deputeti Fridon Lala ka kujtuar se si në vitin 2018 një i ri nga komuniteti Ashkali ishte dënuar me shtatë bjet burgim, nën dyshimin që kishte vjedhur 430 euro.
Lala e ka bërë këtë reagim pasi Gjykata Themelore e Pejë e ka shpallur fajtor Shaban Gogajn për vrasjen e Agonis Tetajt.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri Shaban Gogaj për vrasje nga pakujdesia u gjykua 5 viteve burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 3 vite burgim.
Vendimi për dënimin ndaj Shaban Gogajt u përcoll me reagime të shumta, përfshirë edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se procesi ndaj Gogajt është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas.
“Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz”, është shprehur Haxhiu.
Tutje, ajo tha se aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo.