Pensilvani: Rrëzohet një avion me 6 persona në bord

Një avion transporti u rrëzua në Filadelfia të premten rreth 30 sekonda pasi u ngrit, duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit. Gjashtë persona ishin në bordin e avionit, tha Administrata Federale e Aviacionit. Rrëzimi i avionit tronditi banorët dhe ndodhi dy ditë pas përplasjes së një helikopteri ushtarak me një avion civil në Uashington.

“Gjithçka që dëgjuam ishte një zhurmë e fortë dhe nuk e dinim nga po vinte. Pas pak pamë shtëllungën e madhe të tymit”, tha Jim Quinn, banor i një lagjeje të qytetit afër zonës ky ndodhi aksidenti.

Shpërthimi ndodhi më pak se 4.8 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili shërben kryesisht për avionët e biznesit dhe fluturimet çarter.

Avioni “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak kohë pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash. Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri.

Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet. Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit u përplas në ajër të mërkurën mbrëma në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane me 3 ushtarë në bord. Nuk kishte asnjë të mbijetuar nga ky aksident.

Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro tha se ai ka ofruar të gjitha “burimet e shtetit për të reaguar ndaj aksidentit në Filadelfia”.