Pjesëtarë të Njësisë Speciale vendosen afër stacionit të policisë në Mitrovicë të Veriut

Në afërsi të stacionit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, është shtuar numri i pjesëtarëve të Njësisë Speciale.

Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovë në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë ditës sot para këtij stacioni kanë protestuar një numër i qytetarëve serbë, kjo duke kërkuar lirimin e katër serbëve që u arrestuar dje, më 10 shtator.

Policia e Kosovës kishte arrestuar mbrëmjen e së hënës katër serbë në Mitrovicë të Veriut, meqë të njëjtit fillimisht kanë ofenduar e më pas edhe sulmuar zyrtarët policorë që ishin duke patrulluar, sipas PK-së.

Petrit Fejza, shef i operatives rajonale në Mitrovicë Veriore, kishte bërë të ditur për Klankosova.tv se të dyshuarit pas arrestimit janë dërguar në stacion policor, ku iu është bërë alkool testi, dhe 3 nga ta rezultuan se ishin në ndikim të alkoolit. Të arrestuarit janë të moshave 21-23 vjeçare.