Sot në ora 11:00 do të protestohet kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Protesta është paralajmëruar në Facebook nga Binak Gashi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë pjesë e OVL-së së UÇK-së.
Gashi ka thënë se protesta do të mbahet pikërisht në lokacionin ku ka filluar të ndërtohet xhamia, në afërsi të objektit qendror të Telekomit të Kosovës.
“Këshilli organizativ njofton se me datë 22. 07. 2020, (e mërkurë), ora 11:00, organizohet protestë kundër ndërtimit të kësaj xhamie pikërisht në lokacionin ku kanë filluar punimet. Pjesëmarrësit të jenë të pajisur me masat antikovid”, ka njoftuar Binak Gashi në Facebook.
Ai ka kritikuar faktin se xhamia është e financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është provincë e Turqisë por “histori e Ilirisë që nga koha pellazge”.
“Fillimi i punimeve për këtë xhami ka ndodhur me 16 korrik si koincidencë e përvjetorit të puçit ushtarak në Turqi, tregon atak direkt kundër Pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj të heshtura”, ka thënë veterani i UÇK-së.