SPORT

Pse Serbia po e zhvendos ndeshjen me Shqipërinë në Leskovc?

Në faqen zyrtare të UEFA-s ende shkruan se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, më 11 tetor.

Por është çështje kohe para se të zyrtarizohet vendimi që kjo ndeshje e ndjeshme të zhvendoset në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. Kjo tashmë është kërkesë zyrtare e Federatës së Futbollit të Serbisë. Për të ndryshuar stadiumin duhet miratimi i Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe në një situatë të tillë UEFA pranon ndryshimin e vendit të ndeshjes, ndërsa FIFA, si organizatore e kualifikimeve, konfirmon këtë.

Ndeshja pritet të jetë vendimtare për vendin e dytë në grupin kualifikues për Botëror. Federata e Futbollit e Serbisë, e vetëdijshme për rëndësinë e ndeshjes, kishte vendosur që ajo të luhej në Beograd.

Por humbja 5:0 e Serbisë nga Anglia, të martën, ka ndryshuar situatën. Ajo ndeshje ishte zhvilluar po në “Rajko Mitiq”, i njohur edhe si stadiumi i Cërvena Zvezdës.

Ndryshimi nuk ka të bëjë me rezultatin, përkatësisht me humbjen turpëruese, sa ka të bëjë me zhvillimet në stadium. Kanë bërë bujë thirrjet kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga shumica e 40 mijë shikuesve. Ka pasur thirrje edhe kundër përzgjedhësit të Serbisë, Dragan Stojkoviq. Gjatë ndeshjes, në sy të policisë, grupe huliganësh, të afërt me presidentin Vuçiq, kanë bërë sulm fizik ndaj tifozëve që po bënin thirrje kundër pushtetit aktual në Serbi.

Ka kohë që situata politike në këtë vend është shumë e tensionuar. Protestat kundër qeverisë, të nisura nga studentët, janë bërë gjithëpopullore. Ndërkohë organizohen vazhdimisht edhe kundër-protesta, nga grupe kriminale të afërta me pushtetin e Vuçiqit.

Dhe për të shmangur situata të padëshiruara si ato të ndeshjes ndaj Anglisë, Federata e Futbollit e Serbisë, me shumë gjasë në konsultim me pushtetin, ka vendosur që ndeshja me Shqipërinë të organizohet në Leskovc.

Stadiumi ka kapacitet prej 8.136 ulëseve dhe ky numër kontrollohet shumë më lehtë se numri prej 40 mijë shikuesve. Po ashtu biletat mund të ndahen për grupe të caktuara, që kontrollohen më lehtë. Në dy vjetët e fundit Serbia i ka organizuar tri ndeshje në Leskovc.

Fillimisht luajti ndaj Zvicrës më 12 tetor të vitit të kaluar. Të pranishëm ishin 6.383 shikues. Ndaj Danimarkës, më 18 nëntor të vitit të kaluar, ishin 7.295 shikues. Ndërkohë ndaj Andorrës, më 10 qershor të këtij viti, ishin 7576 shikues.

Ndaj Shqipërisë ky stadium i vogël do të mbushet plot.

Por situata mund të ndryshojë nëse Federata e Futbollit e Serbisë dënohet nga FIFA lidhur me incidentet e shkaktuara në ndeshjen ndaj Anglisë. Ndër të tjera ka pasur edhe fyerje ndaj Kosovës dhe flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës. Për shkak se serbët bëjnë vazhdimisht probleme, ka gjasa që të mbyllet i gjithë stadiumi për ndeshjen e ardhshme, që është ndaj Shqipërisë. Dhe potencialisht, në stadium të mbyllur, Serbia e Shqipëria mund të luajnë në Beograd.

Nëse mbyllet pjesërisht stadiumi, ndeshja mund të luhet në Leskovc.

“Po punojmë intensivisht që të marrim pajtueshmëri për të ndryshuar lokacionin për atë ndeshje. Leskovci është mjedisi në të cilin përfaqësuesja është përgatitur gjithnjë në qetësi, ku është pritur me përkrahje të parezervë, në atmosferë shumë pozitive dhe ku mori disa rezultate shumë pozitive. Besoj se në periudhën e ardhshme do të luajmë në Leskovc”, ka thënë të enjten për “Tanjugun”, Brank Radujko, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë.

Të premten nuk kishte zhvillime. Por që në fillim të javës së ardhshme, nëse jo në fundjavë, pritet vendimi përfundimtar.

Ka pasur raportime në mediat serbe që FSHF-ja është pajtuar për ndryshim të stadiumit. Kjo në fakt është e mundur. Një stadium i vogël, me më pak presion nga tifozët, përkatësisht huliganët, rrit gjasat e kuqezinjve për sukses.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Shfaqet në Gjirin e Orikumit një nga gjitarët më të rallë në botë

Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…

1 orë ago
  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

11 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

15 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

15 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

19 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

23 orë ago