Rama: Nuk po sulmoj SPAK-un, po bëj thirrje për standarde. Kur del nga shinat, antikorrupsioni bëhet më i rrezikshëm se korrupsioni

Kryeministri Edi Rama, në daljen e tij të radhës “sy m’sy” në rrjetet sociale, deklaroi se nuk po sulmon SPAK-un, por po bën thirrje për standarde.

Sipas tij, është parë në shtetet e tjera “se si antikorrupsioni, kur del nga shinat, bëhet dhe më i rrezikshëm se korrupsioni”.

“Kemi bërë një reformë me mbështetje masive të drejtësisë së re, me 3342 punonjës që paguhen nga shteti shqiptar, dhe në këtë vit që lamë pas janë akorduar 1,2 miliardë. Tani, çfarë duhet të bëjmë ne? Të pranojmë që akoma të merren dëshmitë me orë të tëra dhe në fund të të japin 5 fletë aty dhe të të thonë: firmosi! Pasi të intimidojnë dhe të të ndalojnë në rrugë me fëmijën 3 vjeç? Si mos të flasim për këto ne? Këto nuk janë sulme, por thirrje për standarde. I kemi parë këto në të kaluarën dhe në vendet e kaluara kemi parë se si antikorrupsioni kur del nga shinat bëhet dhe më i rrezikshëm se korrupsioni. Si ju merrkan njerëzve telefonat dhe i sheh gjithçka që ka brenda dhe bën shantazhe? Si merren sipërmarrësit në rresht aty dhe i bëhet presion. Njërit prej dëshmitarëve i është bllokuar e gjithë jeta sepse në telefon kishte të gjitha transaksionet përpara”, deklaroi Rama.

“Lufta kundër korrupsionit është luftë kundër korrupsionit. Unë nuk i negocioj idealet e mia, as parimet e mia për çfarëdo gjëje që të jetë, as pozicionin e qartë të Partisë Socialiste. PS e ka në ADN-në e vet luftën për të bërë shtet dhe mbrojtjen e standardeve”, shtoi Rama.