Reagon Vjosa Osmani pas kërcënimit të djali të Isa Mustafës, fton të dënohet gjuha kërcënuese

Nënkryetarja e tretë e LDK’së, Vjosa Osmani, ka bërë një kërkesë ndaj të gjithë liderëve politikë pas kërcënimeve publike të fundit.

Ajo ka thënë se gjuha e urrejtjes është kthyer në përditshmëri, ndaj ka ftuar përfaqësuesit politik që të dënojnë gjuhën kërcënuese dhe të kërkojnë nga anëtarët e aktivistët e partive të tyre për gjakftohtësi, tolerancë dhe mirëkuptim.

“Për fat të keq, tashmë gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri, por kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri. Familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla”, ka shkruar Osmani në faqen e saj në Facebook.

“Është koha që të gjithë të bëjmë thirrje e të punojmë për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit. Pavarësisht dallimeve politike, ne të gjithë kemi vetëm një atdhe, Republikën e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë e zhvillojmë duke respektuar njëri-tjetrin. Prandaj i ftoj edhe përfaqësuesit e tjerë politik që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim”