Sallahu nuk tërhiqet nga deklarata për prokurorët: Ata duhet t’i kërkojnë falje Kurtit, Konjufcës, Ramabajës

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu i është kundërpërgjigjur Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me akuzat e kundër akuzat e ndërsjella të publikuara së fundi.

Sallahu në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për deklaratën e tij ku thotë se disa prokurorë janë të përfshirë në veprimtari kriminale për të cilën deklaratë KPK ka shkëputur bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë.

Zv.ministri deklaroi se në statusin e tij të bërë në rrjetin social Facebook, nuk i ka përfshirë të gjithë prokurorët, por disa prej tyre, siç thotë ai që janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

“Ju e dini se unë nuk flas pa argumente, unë e kam shkruar një postim në Facebook, i cili involvon prokurorët, pra jo Prokurorinë por disa prokurorë të caktuar të cilët janë të involvuar në veprime kriminale, një dy e më shumë, pra jo të gjithë, nuk flas me terma absolut, pra ka të bëjë me prokurorë, e ki termin e caktuar sepse unë e di se çka shkruaj, prokuror e ki në status. Pra dy e me shumë prokurorë janë të përfshirë në veprimtari kriminale”, është shprehur ai në emisionin “Përballje”.

Gjatë intervistës, zëvendësministri Sallahu që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka pasur disa skandale që kanë ndodhur në sistemin e drejtësisë gjatë qeverive të kaluara.

“P.sh pagesat mjeko-ligjore në mënyrë të kundërligjshme janë kryer dhe buxheti i Kosovës është shpenzuar në mënyrë të kundërligjshme në shumë afro prej 800 mijë euro, e dyta, përgjimet – ju e dini se aty ka përgjime ka njerëz të caktuar avancojnë në gjyqtarë. Ju e dini për valën e përgjimeve, skandali më i tmerrshëm që ka ndodhë në Republikën e Kosovës është kur me dëshmitarë të montuar, me prova të montuara e kanë mbajtur Sadri Ramabajën tri vjet në burg, ia kanë shkatërruar jetën profesionale”, pohoi Sallahu.

Sallahu gjithashtu tha se disa prokurorë kanë tentuar që me akuza ndaj Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, të shpallin LVV-në organizatë terroriste.

“Çështja tjetër është akuza dhe kundër-akuza ndaj Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe krejt në fund tentimi për të shpallë Lëvizjen Vetëvendosje organizatë terroriste. Krejt këto veprime janë bërë nga disa prokurorë, pra problemi është se këta njerëz të cilët në vend se të reagojnë dhe të nisin hetimet për skandal, për të denigruar Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcën, është bërë në mënyrë që LVV të mos ekzistojë. Problemet në sistem prokurial ekzistojnë, për fatin e këtyre që përmenda”, potencoi ai.

Mes tjerash, Sallahu tha se nuk tërhiqet nga deklarata e tij, dhe se prokuroria duhet të kërkojë falje për veprimet që ka bërë.

“Unë në asnjë variant nuk tërhiqem nga deklarata, sepse ka argumente. Kërkoj nga prokuroria të kërkojë falje për fabrikimin e dëshmive të rrejshme, për mbajtjen e Sadri Ramabajës për tri vjet në burg, po ashtu të kërkojë falje nga Albin Kurti për denigrimin dhe tentimin e arrestimit mbi prova të rrejshme. Po ashtu duhet të kërkojë falje edhe ndaj Glauk Konjufca”, theksoi ai.

Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu gjatë intervistë në “Përballje” Foto: Ridvan Slivova

Gjithashtu ai ka folur për procesin e Vettingut dhe reformat në drejtësi duke thënë se këtë reforma po i pengojnë disa persona brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Sallahu në këtë intervistë tha se nuk mund t’i mbyllin sytë përballë padrejtësive dhe krimeve që bëjnë individë të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, dhe për këtë janë duke shtyrë përpara procesin e Vettingut dhe reformat në drejtësi.