Kreu i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns, ka thënë se ambiciet e presidentit kinez Xi Jinping ndaj Tajvanit nuk duhen nënvlerësuar, pavarësisht se ai mund të ishte “i kthjellur” nga (dështimi) i ushtrisë ruse për të pasur sukses në Ukrainë, shkruan CNN.
Burns ka thënë se SHBA-ja e di se Xi ka urdhëruar ushtrinë e tij që të jetë gati për të pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027.
“Kjo nuk do të thotë se ai ka vendosur të pushtojë në vitin 2027 ose ndonjë vit tjetër, por është një kujtesë e seriozitetit të fokusit dhe ambicieve të tij”, ka thënë tha Burns në një ngjarje në Universitetin Georgetown në Uashington.
“Vlerësimi ynë në CIA është se ambiciet e presidentit Xi në lidhje me Tajvanin nuk duhet të nënvlerësohen”, ka thënë Burns.
Ai shtoi se udhëheqësi kinez ka të ngjarë të jetë “i befasuar dhe i mërzitur” dhe duke u përpjekur të nxjerrë mësime nga “performanca shumë e dobët” e ushtrisë ruse dhe sistemeve të saj të armëve në Ukrainë.
Kina është përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus të Ukrainës, por ka qenë e kujdesshme të mos ofrojë mbështetje materiale të drejtpërdrejta që mund të shkaktojnë sanksione perëndimore si ato të vendosura ndaj Moskës.
“Mendoj se është e gabuar të nënvlerësohet përkushtimi i ndërsjellë ndaj këtij partneriteti, por nuk është një miqësi krejtësisht pa kufij”, ka thënë Burns.