Importi mallrave serbe ka rënë ndjeshëm në Kosovë pas masës së sigurisë të vendosur tre muaj më parë nga Prishtina zyrtare, duke bërë që tregu vendas të mbushet më shumë tani me produkte nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa po shfaqen po kështu më shumë produkte edhe nga vendet e Bashkimit Europian.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2023, arritën në 73,9 milionë euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 16,4%. Raporti tregon se vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,9%), Shqipëria (5,4%), e më pas Serbia me 1,3%.
“Produktet që nuk janë importuar nga Serbia kanë filluar të importohen nga Shqipëria”, tha Lulëzim Rafuna, kryetar i Dhomës Ekonomike të Kosovës.
Megjithatë, ekspertë të ekonomisë kërkojnë që masa ndaj produkteve të Serbisë të analizohet nga qeveria, pasi sipas tyre, kjo mund të jetë në dëm të vendit. Dhoma Ekonomike Amerikane në Kosovë po ashtu ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës të rishqyrtojë masat që kufizojnë importet nga Serbia, e të cilat pengojnë interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore.
Shqetësim për masën e sigurisë së Prishtinës zyrtare, sipas Rafunës, kanë shprehur disa kompani të huaja që operojnë në Serbi. Sipas të dhënave zyrtare, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39 për qind krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë pasur mbi sipërmarrjet ndërkombëtare.