Një shtetase 46-vjeçare nga Shqipëria është arrestuar, pasi dyshohet se përmes mashtrimeve në media sociale ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut një shumë prej 10 mijë eurosh, duke u shtirur si e sëmurë.
Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit të thelluar, me metoda proaktive, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Teknika”, në kuadër të të cilit, nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, u arrestua në flagrancë shtetasja E. D., 46 vjeçe, banuese në Elbasan.
46-vjeçarja ka mashtruar nëpërmjet rrjeteve sociale, një 32-vjeçar nga RMV, duke i prezantuar të dhëna të rreme shëndetësore dhe personale të saj. Nga kjo veprimtari kriminale dyshohet se shtetasja E. D. ka përfituar rreth 10 000 euro.
Vijojnë hetimet ndërkohë për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.