Shenja të shumta gjaku, shenja plumbash në dyer, një skenë e mirëfilltë e një kasaphane të ndodhur brenda një apartamenti rreth orës 00:44. Këto janë çfarë kanë mbetur në banesën e Marsida Qatja, 30-vjeçare nga Kavaja, ku mbrëmë pas mesnate, një efektiv sigurie në burgje, Bledar Toçi 31-vjeç vrau me armë Dritan Haxhollin 41 vjeçar. Gruaja, Marsida Qatja, nënë e tre fëmijëve, kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me Haxhollin, lidhje të cilës i kishte dhënë fund dy javë më parë.
Marsida Qatja ndodhej në banesë me tre meshkuj, Bledar Toçin, Xhuljo Biturkun fqinjin e saj dhe Ermir Çela, shokë, të cilët sipas burimeve kanë qenë duke konsumuar alkool dhe lëndë narkotike. Ky fakt ka bërë që ish i dashuri i saj t’i shkojë në shtëpi me automatik dhe pasi është futur me forcë ka nisur të qëllojë me breshëri duke lënë të plagosur Bledar Toçin, i cili më pas ju kundërpërgjigj me pistoletën e shërbimit duke e lënë të vdekur në vend 41-vjeçarin.
Në dëshminë paraprake Marsida Qatja tha se pas ndarjes ka pasur telefonatave dhe kërcënime nga Dritan Haxholli, arsye për të cilën kishte kërkuar ndihmën e Bledar Toçit, duke thënë se e ka kushëri. Por në fakt, rezulton se ata nuk kanë asnjë lidhje farefisnore me njëri-tjetrin dhe është pikërisht xhelozia dhe fakti që e ka gjetur ish-të dashurën me meshkuj të tjerë në banesë që është bërë shkak për ngjarjen e rëndë. Pasi ka mësuar se Marsida Qatja ndodhej në banesë me tre meshkuj, Dritan Haxholli ka shkuar në banesën e 30-vjeçares me automatik dhe ka hyrë me forcë nga dritarja. Ka nisur të qëllojë me breshëri automatiku duke lënë të plagosur me një plumb në qafë Bledar Toçin. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e lënë të vdekur në vend Haxhollin me plumbat e një pistolete Glock që kishte me vete. 41-vjeçari u qëllua teksa po tentonte të dilte nga banesa dhe në një foto të siguruar Report Tv, shihet se ai ka mbetur i vdekur në afërsi të derës së apartamentit. Burime thanë për gazetaren Xhensila Kodra, se brenda shtëpisë ka pasur përplasje të armatosur dhe se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja. Shefi i sigurisë së Brendshme në burgun e Durrësit, Bledar Toçi, i martuar dhe baba i një fëmije, u arrestua nga policia në spital për vrasje me dashje, ndërsa në pranga ra edhe vëllai i tij, Bernard Toçi pasi nga kontrolli në banesën e vëllezërve u gjetën doza kokaine.
Dritan Haxholli ishte i divorcuar dhe i dënuar më parë nga drejtësia shqiptare për krime kundër personit dhe tregtim të lëndëve narkotike.