Ambasadori rus në Poloni, Sergei Andreev, u lye me bojë të kuqe teksa po vendoste kurorë me lule në varrezën e ushtarëve sovjetikë në Varshavë, me rastin e Ditës së Fitores kundër Nazizmit.
Disa persona, që raportohet të jenë polakë dhe ukrainas, i zunë rrugën diplomatit, edhe pse ai ishte i shoqëruar me efektivë policie. Pas sulmit me bojë, Andreev tha se nuk kishte pësuar lëndime.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha përmes një mesazhi të publikuar në Telegram se “mbështetësit e neonazistëve treguan edhe një herë fytyrën e tyre të vërtetë, dhe është e përgjakshme”.
Ambasada ruse në Poloni tha gjithashtu se do të protestonte kundër këtij veprimi.