Tabela që e paraqiste Pejën pjesë të Serbisë u vendos në Plavë, largohet pas reagimeve

Një tabelë që e paraqiste Pejën si pjesë të Serbisë, ishte vendosur në një kryqëzim në Plavë të Malit të Zi. Por, pas reagimeve ajo është larguar. 

Artistja që jeton në Plavë, Kaltrina Hoti, kishte reaguar të shtunën për vendosjen e shenjës. Ajo kishte thënë se vendosja e shenjës ishte bërë me leje të kryetarit të Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.

“Lejimi nga kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të vendosur një tabelë që tregon se Peja (Kosovë) është pjesë e Serbisë, ka krijuar një klimë të rrezikshme tensioni etnik në rajon. Shenja, e cila sugjeron se Mali i Zi miraton pretendimet e Serbisë mbi Kosovën, nuk është vetëm fyese për popullatën minoritare shqiptare në Mal të Zi, por rrezikon gjithashtu të rrisë ndarjet etnike dhe potencialisht të çojë në trazira”, kishte shkruar Hoti të shtunën.

Ndërkohë të dielën ajo ka postuar një foto ku shihet se shenja është larguar.

“Kush kishte të drejtë? Dua të falënderoj çdo person që më kritikonte duke u përpjekur të më thoshte se isha gabim (e sidomos disa shqipfolës). Tani shenja është zhdukur. Tani Nihad Canoviq duhet të përfundojë detyrimin e tij ligjor për minoritetin shqiptar duke vendosur të gjitha shenjat e komunikacionit në dy gjuhë”, ka shkruar Hoti.

Në një video që e kishte postuar artistja, shihej duke biseduar me punëtorët të cilët i tregonin se shenja ishte vendosur me kërkesë të kryetarit të komunës.