Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka përdorur fjalë të ashpra ndaj Papa Leone XIV mbrëmjen e djeshme në një sulm të pazakontë dhe të drejtpërdrejtë ndaj liderit të Kishës Katolike, që ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga besimtarët dhe institucionet kishtare.
Në atë që për shumëkënd u pa si një përgjigje ndaj kritikave në rritje të Papës për konfliktin e nisur bashkërisht nga SHBA dhe Izraeli kundër Iran, si dhe ndaj politikave shumë të rrepta migratore të administratës së Trumpit, presidenti amerikan e quajti Leonin XIV “të tmerrshëm”.
Në mëngjes erdhi përgjigjja e vetë Papa Leones, i cili në një intervistë për Reuters tha se “nuk kam frikë nga Trump, do të vazhdoj të flas kundër luftës. Mesazhi i Ungjillit nuk duhet të keqpërdoret.” “Unë”, tha ai, “flas për Ungjillin. Nuk jam politikan. Nuk kam ndërmend të bëj debat me të,” theksoi ai. “Mesazhi është gjithmonë i njëjtë: paqja. Dhe ua them këtë të gjithë liderëve të botës. Le të përpiqemi ta përfundojmë këtë luftë.” “Nuk mendoj,” shtoi ai, “që mesazhi i Ungjillit duhet të keqpërdoret siç po bëjnë disa.”
Katolikët në rrjetet sociale reaguan duke kritikuar Trumpin për sulmin ndaj liderit të Kishës. Ndërkohë, kryeipeshkvi Paul S. Coakley, president i Konferencës së Ipeshkëve Katolikë të SHBA-së, u shpreh i trishtuar nga deklaratat e Trumpit. “Papa Leone nuk është rival i tij; as Papa nuk është politikan. Ai është përfaqësuesi i Krishtit që flet nga e vërteta e Ungjillit dhe për kujdesin e shpirtrave,” tha ai në një deklaratë zyrtare.
Robert Francis Prevost, me origjinë nga Çikago, është Papa i parë amerikan. Trump ka pretenduar se ai është zgjedhur pikërisht sepse është amerikan, madje edhe sepse në Shtëpinë e Bardhë është kthyer vetë ai: “Leone duhet të më jetë mirënjohës sepse, siç dihet, emërimi i tij ishte një surprizë e madhe. Nuk figuronte në asnjë listë kandidatësh dhe u zgjodh vetëm sepse është amerikan, sepse mendohej se kjo ishte mënyra më e mirë për të menaxhuar marrëdhënien me presidentin Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leone nuk do të ishte në Vatikan,” deklaroi ai.
I njohur për kujdesin në gjuhë, Papa në javët e fundit është bërë kritik i hapur i konfliktit në Iran dhe ka dënuar “çmendurinë e luftës” në një apel për paqe të shtunën. Vitin e kaluar ai kishte vënë në dyshim nëse politikat shumë të ashpra migratore të administratës Trump ishin në përputhje me mësimet e Kishës. “Kush thotë: ‘Jam kundër abortit, por jam dakord me trajtimin çnjerëzor të emigrantëve në SHBA’, nuk e di nëse është vërtet pro-jetës,” kishte thënë Papa në shtator.
Trump në postimin e tij të së dielës shkroi se “Leone duhet të marrë veten si Papë”, duke shtuar për gazetarët se nuk ishte “një fans i madh” i tij. Ai lavdëroi ndërkohë vëllain e Papës, të cilin e quajti një mbështetës të vërtetë të lëvizjes MAGA. Sulmi i Trumpit e akuzoi gjithashtu Leonen se ishte “i dobët në çështjen e armëve bërthamore”, pak ditë pasi Papa e kishte cilësuar “plotësisht të papranueshme” kërcënimin e presidentit amerikan për të shkatërruar qytetërimin iranian.
Në një fjalim për të Dielën e Palmave muajin e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë kishte theksuar se Zoti i refuzon lutjet e liderëve që nisin luftëra dhe kanë duar “të lyera me gjak”, duke e quajtur konfliktin në Iran “të tmerrshëm”. Leone XIV gjithashtu i ka bërë thirrje Trumpit të gjejë një “rrugëdalje” për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të “ulur nivelin e dhunës”.
Thirrja e tij për një qasje më humane ndaj emigracionit pasqyron qëndrime të shprehura edhe nga disa paraardhës të tij, por që bien ndesh me qëndrimin e Trumpit, i cili mbështet kufizimin e emigracionit nga vendet në zhvillim për të ulur kriminalitetin. “Ai është një person shumë liberal dhe nuk beson në ndalimin e krimit,” u tha Trump gazetarëve të dielën në mbrëmje. Ai ka pasur gjithashtu një marrëdhënie të tensionuar me paraardhësin e Leones, Papa Françeskun, i cili kishte kritikuar propozimet e tij për imigracionin gjatë fushatës së parë presidenciale dhe kishte thënë se Trump nuk ishte “i krishterë”. Trump e kishte quajtur Françeskun “turpërues” në fillim të vitit 2016.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…
Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…