Në kuadër të operacionit që po kryhet nga SPAK për goditjen e grupeve kriminale, në bashkëpunim me Interpol është arrestuar në Itali, Arian Tuku.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën (Aleksandër Deda) i njohur si “Leksi i Druve”. Atentati ndaj Alkes Ndrekës, ndodhi pasditen e 1 dhjetorit 2020 në autostradën Lezhë-Laç. Ndreka mbeti i plagosur me një plumb në gjoks.
Arian Tuku është dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest. ‘Leksi i Druve’ ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin Ndoka.
Gjithashtu 36-vjeçari Tuku ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit. Atentati ndaj Durim Bamit u bë më nëntor të 2020, ku ndaj tij u qëllua me 5 plumba dhe mbeti i plagosur kushëriri i tij Ervin Kodra. Durim Bamit i kishin zënë pritë në urën e Tapizës. Pas atentatit, autorët dogjën makinën në Valias dhe brenda saj u gjet edhe një kallashnikov.
Po sipas SPAK, në 2020, Arian Tuku ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze.
‘Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian TUKU, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDREKA. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.’-njofton SPAK.
Hetimet e SPAK nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve ‘Sky’ që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.