Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh edhe nënkryetare e LDK-së, mbrëmë në emisionin DESKU të KTV-së, foli haptas për zhvillimet politike në vend.
Ndër të tjera, Osmani akuzoi bashkëpartiakun e saj, tashmë ministrin e shkarkuar të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, se ishte një prej shkaktarëve të prishjes së koalicionit qeverisës.
Ajo tha se Veliu, ndonëse nuk mori pjesë fare në zgjedhjet e 6 tetorit, u bë zëri kyç i Qeverisë.
Ndaj këtyre deklaratave, dhe shumë deklarimeve tjera, ka reaguar vetë Veliu, që po ashtu është nënkryetar i partisë. Përmes një statusi në Facebook, Veliu ka hedhur akuza të rënda ndaj Osmanit, të cilën e quajti “përkthyese të Thaçit”.
Veliu ka thënë se Osmani asnjëherë nuk ka pasur guximin që të garojë në zgjedhje në komunën e saj, por as në Prishtinë, kur LDK-ja ia kishte ofruar një mundësi të tillë.
“Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme. LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë”, ka thënë Veliu në këtë reagim.
Në emisioni e mbrëmshëm, Osmani tha se Veliu, edhe pse i ishte kërkuar që të kandidonte në zgjedhjet e fundit, e kishte refuzuar një kërkesë të tillë.
Por Veliu tha se nuk janë fshehur pas askujt, “sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës”.
Ndërkaq, tha se “humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrieriste”.
“Kur është dashur që të mos rrezikohet komuna, në zgjedhjet lokale më është kërkuar t’i kthehem garës për kryetar komune dhe kam lënë pozitën e deputetit dhe i jam rrekur punës dhe, si rezultat i angazhimit tim dhe elektoratit besnik të LDK-së, i kam fituar zgjedhjet. Kur u kandidua për kryeministre, LDK-ja në të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato të oponentëve politikë, ishte e para me diferencë prej 7%, por në zgjedhje doli e dyta. Në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj”, është shprehur Veliu.
Nënkryetari i LDK-së e ka kritikuar Osmanin edhe për deklaratën se “strukturat e partisë, duke përfshirë Kuvendin e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin, nuk përfaqësojnë votuesin e LDK-së”. Ai tha se kjo deklaratë “është hipokrizi”.
“Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër. Të thuash se dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë një kryeministër, i cili nuk ka guxim ta marrë udhëheqjen e dialogut dhe refuzon ftesat amerikane për përfshirje në dialog, është një paradoks tjetër. Të thuash e përkrahi qëndrimin amerikan për dialogun e taksën dhe njëkohësisht e përkrahi një kryeministër që shpërfill kërkesat e Departamentit të Shtetit, është kontradiktore. Të thuash se 90 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk përfaqësojnë legjitimitet qytetar, është mungesë elementare e njohjes së demokracisë që buron nga vota e popullit. Ta kundërshtosh partinë tënde që ta udhëheqë shtetin dhe dialogun, siç ka bërë në të kaluarën, por edhe tani, është keqpërdorim i besimit të partisë dhe elektoratit”, u shpreh Veliu mes tjerash.
Ai, të gjitha këto i quan “paradokse” dhe “anakroni”, të cilat thotë se gjejnë përgjigje te ajo thënia popullore: “han bukën e shtëpisë, bën argatin e kojshisë”.
“Ka dalë në oborrin e një fqinji që ka pretendime për shtëpinë e saj dhe është bërë me të, kundër shtëpisë së vet. Po e fajëson shtëpinë e vet pse po e mbron pragun e vet, e po i duken normale synimet gllabëruese të fqinjit pretendues ndaj shtëpisë së saj. Por, me të nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturuar”, përfundoi nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.