Tërmeti godet Shqipërinë/ Shkon në 51 numri i viktimave nga tërmeti

UPDATE: Shkon në 51 numri i viktimave nga tërmeti, vdes në spitalin e Traumës 20-vjeçarja, Xhesika Biqiku. Ajo ishte në gjendje koma prej tre ditësh. 20-vjeçarja u aksidentua në momentin e tërmetit pasi po tentonte të largohej i ra një tullë në kokë.

UPDATE: 50 viktima nga tërmeti! Nxirren të gjithë trupat nga rrënojat në Thumanë dhe në Durrës.

https://www.facebook.com/FMimagesAlbania/videos/745973112480693/

Deri tani, 48 është numri i viktimave nga tërmeti që goditi Shqipërinë, ndërsa ende po punohet për nxjerrjen e dy trupave që janë nën rrënoja në dy pika në qytetin e Durrësit. Kërkimet po vijojnë intensivisht në Kënetë dhe tek ‘2 Gjelat’. Pas tërmetit Durrësi është përfshirë nga një mot i keq me reshje shiu që ka vështirësuar punën për grupet e kërkim shpëtimit që vijojnë punën.

UPDATE: Rritet edhe më tej numri i viktimave nga tërmeti. Emergjencat Civile konfirmojnë edhe nxjerrjen e tre trupave të pajetë, duke e çuar në 45 numrin e personave të vdekur. Trupat janë nxjerrë nga zona e ish-kënetës, ku edhe po vazhdojnë kërkimet për personat e familjes Lala të mbetur nën rrënoja.

UPDATE: 40 persona të vdekur, 658 të plagosur dhe dhjetëra të shpëtuar! Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54 minuta. Kur kanë kaluar më shumë se dy ditë, në Thumanë, vendi ku ka pasur më shumë viktimave, janë ndërprerë kërkimet pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur, edhe pse të pa jetë.

Në Durrës, kërkimet vijojnë në zonën e ish-Kënetës dhe në pallatin 6 katëshe në lagjen numër 18, pranë Kryqit të Kuq.

UPDATE: Së fundi është gjetur edhe një trup i pajetë në Thumanë. Top Channel raporton se Anthy Cara, 68 vjeçe është gjetur para pak minutash në Thumanë. Më gjetjen e 68 vjeçares numri i viktimave ka shkuar në 36. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Më herët u gjetën edhe Almir Cara, e fejuara e tij Stela dhe një fëmijë që mbante mbiemrin Vata.

Ndërkaq, raportohet se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë prëfunduar për sot, për të vazhduar nesër në mëngjes.

UPDATE: Kur kanë kaluar rreth 40 orë nga lëkundja fatale e së martës, bilanci është tragjik dhe fatkeqësisht pritet të rëndohet edhe në orën të vijim pasi ka ende persona nën rrënoja. 33 persona janë nxjerrë të pajetë, shifër kjo e konfirmuar nga gazetarët e Report TV që janë në terren e ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike vetëm emrat e 31 viktimave.

https://www.facebook.com/FMimagesAlbania/videos/2543731555747512/

UPDATE: Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona të konfirmuar nga familjarët, ndërkohë që sipas policisë kanë humbur jetën 26 persona duke krijuar një diferencë, se disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar.

Forcat speciale vijojnë kërkimet për mbi 20 persona që vazhdojnë të jenë nën rrënoja. Kërkimet vijojne në 6 pika mes zonave të Durrësit, Kënetës dhe Thumanës: tek tre pallatet e rrëzuara në Thumanë, tek hotel Mira Mare në Durrës, hotel Tropikal, tek lagjja nr.6 në Durrës dhe në afërsi të kryqit të kuq.

UPDATE: Është nxjerrë i pajetë nga rrënojat e pallatit në Thumanë, Keli Çupi, ndërsa vijon puna për nxjerrjen e trupit të pajetë të babait të tij Hajredin Çupi.

Keli Çupi ishte kthyer nga Anglia vetëm dy ditë më parë. Një ditë më parë nga rrënojat u nxor i gjallë djali tjetër i Hajredin Çupit

UPDATE:Deri më tani raportohen 24 të vdekur në Thumanë, Durrës, në zonën e ish-Kënetës dhe Lezhë, ndërsa janë rreth 600 të lënduar që kanë marrë trajtim në spital si pasojë e dëmtimeve nga lëkundjes e fuqishme sizmike të mëngjesit që vazhdojnë ende me pasgoditje të njëpasnjëshme.

Aktualisht 44 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerë. Ushtria, forcat e policisë dhe Emergjenca Civile po gërmojnë në mes të rrënojave të 4 godinave në Thumanë në Fushë-Krujë dhe disa zona të qytetit bregdetar të Durrësit, Këneta, pallati gjashtë katësh afër Kryqit të Kuq, Vila po në Durrës

UPDATE: Edhe dy trupa të tjerë të pajetë nxjerrë në Thumanë. 20 viktima në total.

UPDATE: Nga Durrësi vijnë lajme të këqija. Tashmë bilanci i viktimave nga tërmeti është rënduar duke e çuar numrin e atyre që kanë humbur jetën në 16.

Një trup i pajetë është nxjerrë nga rrënojat. Ndërsa, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë në spitale ka kaluar 600. Ndërkohë, raportohet se ende ka njerëz nën rrënoja dhe po bëhet përpjekje që t’u ndihmohet pa rënë errësira.

UPDATE: Shqipëria është goditur nga tërmete tejet të fuqishme gjatë orëve të para të mëngjesit.

Një u shkaktua në orën 03:55 me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht shumë viktima.

Tashmë numri i viktimave ka arritur në 15, ndërsa njoftohet se janë 600 të plagosur.

Tashmë gjithë Shqipëria është në zi, teksa në ndihmë po i del edhe Kosova dhe gjitha vendet mike.

UPDATE: Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 11 viktima.

Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.

Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmët janë të shumta, tre të pajetë u nxorrën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

 

Fatkeqësisht tërmeti i fuqishëm që lëkundi Shqipërinë në orën 3.55 të mëngjesit të sotëm ka shënuar viktimën e parë në Thumanë të Fushë-Krujës. Një skenë tragjike, përlotëse dhe rrëqethëse.

Një gjsyëh ka humbur jetën e zënë nën rrënoja nga shembja e një pallati, ndërsa në prehërin e saj mbante nipin. I vogli është nxjerrë gjallë nga të afërm dhe forcat zjarrfikëse. Nga raportimet nga terreni, thuhet se mund të bëhet fjalë për rreth 10 persona që mund të jenë nën rrënoja në godinat e shembura në Thumanë. Nuk dihet ende situata.

Ata kanë qenë në gjumë dhe nuk kanë mundur të ngrihen në kohë për t’i shpëtuar tërmetit duke u zënë nën rrënoja. Situata më problematike paraqitet pikërisht në këto tre pallate në zonën e Thumanës.