Grupi famëkeq “Wagner”, është një kompani private ushtarake e cila njihet gjerësisht si “ushtria private e Putinit”. Ai shpeshherë ka qenë i lidhur me një varg përdhunimesh, grabitjesh, vrasjesh dhe krimesh lufte në të gjithë globin.
I konsideruar gjerësisht nga ekspertët ushtarakë si i gatshëm ndaj thirrjeve të Vladimir Putin, grupi mercenar është ndër listën e fundit të individëve dhe organizatave të sanksionuara nga Britania për pushtimin rus të Ukrainës.
Në fillim të luftës në Ukrainë, u raportua se “Wagner” kishte për detyrë të vriste presidentin Volodymyr Zelensky dhe figura të tjera të larta ukrainase, përfshirë këtu dhe vëllezërit Klitschko, të cilët janë duke bërë një rezistencë të jashtëzakonshme në Kiev.
Kremlini, nga ana e tij, ka mohuar kategorikisht të ketë lidhjet me grupin mercenar që vlerësohet se ka 600 trupa aktive, por ekspertët thonë se ai është vendosur në mbarë botën për të kryer “punët e pista” të Moskës.
Në dhjetor, BE-ja akuzoi “Wagner Group” për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në Ukrainë, Siri, Libi, Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan dhe Mozambik.
Kjo forcë tashmë është përfshirë në furnizimin me armë, personel me përvojë dhe trajnime ushtarake për milicitë proruse në Ukrainën lindore.
Ushtria me qira, e drejtuar nga oligarku Yevgeny Prigozhin, një aleat i ngushtë i presidentit rus, i cili njihet ndryshe si “kuzhinieri i Putinit”, u dërgua në Ukrainë disa javë më parë dhe mendohet se ka marrë një shumë të madhe parash për shërbimet e tij./a2cnn