Presidenti serb Aleksander Vucic ka folur rreth epilogut të mundshëm të rezultateve të zgjedhjeve në Kosovë.
Vuçiç tha se ai nuk e përjashton mundësinë që Vetëvendosja e Albin Kurtit, me vota nga jashtë, të fitonte më shumë vota, dhe se ai nuk do të gëzohej për këtë, por nëse kjo do të ndodh, Beogradi do të negocionte me të si një përfaqësues legjitim shqiptar, dhe se do të jenë bisedime shume të vështira.
“Për momentin, LDK po udhëheq me Osmanin dhe Mustafen, por Vetëvendosje është kandidate serioze për te fituar dhe unë pres që ata të marrin shumë vota nga jashtë, kështu që unë nuk do të përjashtoja mundësinë e përfundimit në vend të parë. Ky do të ishte një gëzim i madh për disa nga politikanët serbë që e mbështetën atë parti e cila si synim ka krijimin e një Shqipërie të madhe në programin e saj. Nuk është për mua gëzim”, tha Vuçiç, transmeton “Zëri.info”.
Ai kështu iu përgjigj pyetjes së një gazetari se si i sheh ai rezultatet e partive shqiptare, pasi vazhdimi i dialogut varet nga kjo. Vuçiç tha se ishte e rëndësishme për të që të mund të fliste me një përfaqësues të ligjshëm shqiptar.
“Ne do të jemi të gatshëm të bisedojmë me përfaqësuesit legjitim shqiptarë, kushdo që të jetë, nuk jemi ne ata që do t’i zgjedhim ata. Unë nuk e lirova Albin Kurtin nga burgu por DOS, nuk kam bashkëpunuar me të por me të tjerët, por e jona është të bisedojmë me ata dhe do të jenë biseda shumë të vështira me ta. Këtu nuk ka filozofi të shkëlqyeshme, mos pritni se do të jetë e lehtë për ne, por nuk do të jetë e lehtë as për ta, por kjo është pika e negociatave – të bisedosh dhe të përpiqesh të gjesh një kompromis”, tha Vuçiç.
Në çdo rast, theksoi ai, ne kemi legjitimitet të plotë sot, dhe populli serb ka thënë pa mëdyshje se kush përfaqëson interesat e tij.