Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se do të shkojë në Bruksel për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me një qëllim, “të ruajë paqen dhe stabilitetin”.
Ndërkohë pak sekonda më pas tha se Qeveria e Kosovës mund të zbatojë vendimin e saj për targat e automjeteve, kryesisht në veri, “vetëm me dhunë”.
“Kjo mund të bëhet vetëm me dhunë, por mos prisni që Serbia t’ju ndihmojë në rregullimin ligjor të problemit”, tha ai përcjellin mediat serbe.
Vuçiqi gjatë prezantimit të armëve të reja të prodhuara nga Serbia në Akademinë Ushtarake në Beograd, tha se Serbisë nuk duhet t’i interesojë Kushtetuta e Kosovës.
“Ne jemi të interesuar të diskutojmë gjithçka. Ne nuk kemi problem me temat. Ne duam të flasim për Asociacionin e komunave serbe. Nëse thonë se nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë nuk na duhet një e tillë në përputhje me kushtetutën, sepse një komunitet të tillë mund ta formojë çdo qytetar. Pse duhet të na interesojë Kushtetuta e tyre”, tha Vuçiq.
Takimi Kurti – Vuçiq do të mbahet më 18 gusht dhe BE-ja të dielën u bëri thirrje liderëve të të dy vendeve që të ndalin “retorikën nxitëse”.
Kosova, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare ka shtyrë për një muaj vënien në fuqi të masës së reciprocitetit për letërnjoftime, ndërkohë që u ka dhënë dy muaj kohë të gjithë atyre që kanë targa të lëshuara nga Serbia në emër të qyteteve të Kosovës, që t’i ndërrojnë ato.