Finlanda i është bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s të martën, duke i dhënë një goditje të fortë Rusisë me një riorganizim historik të kontinentit, të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska
Masa është një goditje strategjike dhe politike për Putinin, i cili është ankuar prej kohësh për zgjerimin e NATO-s drejt Rusisë dhe pjesërisht e ka përdorur atë si një justifikim për pushtimin.
Rusia paralajmëroi se do të detyrohet të marrë “masa hakmarrëse” për të adresuar ato që i quajti kërcënimet e sigurisë të krijuara nga anëtarësimi i Finlandës. Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se do të përforconte forcat pranë Finlandës nëse NATO-ja dërgon trupa ose pajisje shtesë në vendin e 31-të anëtar të Aleancës.
Aleanca thotë se nuk përbën kërcënim për Moskën.
Në NATO ka aplikuar edhe Suedia fqinje, e cila i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet. Por kundërshtimet nga anëtarët e NATO-s, Turqisë dhe Hungarisë e kanë vonuar procesin.
E alarmuar nga pushtimi i Moskës në Ukrainë vitin e kaluar, Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1340 kilometrash me Rusinë, aplikoi për t’u bashkuar në NATO në maj, duke lënë mënjanë vite mosangazhimi ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së organizatës.
“Jam i tunduar të them se kjo është ndoshta e vetmja gjë për të cilën mund ta falënderojmë Putinin, sepse ai përsëri këtu nxiti diçka që ai pretendon se dëshiron ta parandalojë nga agresioni rus, duke bërë që shumë vende të besojnë se duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe për t’u siguruar që ata mund të pengojnë agresionin e mundshëm rus në vijim”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pak përpara se të pranonte dokumentet që e bënë zyrtarisht anëtarësimin e Finlandës.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së është depoja e teksteve të NATO-s në lidhje me anëtarësimin.
Më herët, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se vendi “do të detyrohet të marrë masa ushtarako-teknike dhe masa të tjera hakmarrëse për të kundërshtuar kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare që rrjedhin nga pranimi i Finlandës në NATO”.
Ajo tha se lëvizja e Finlandës shënon “një ndryshim thelbësor në situatën në Evropën Veriore, e cila më parë kishte qenë një nga rajonet më të qëndrueshme në botë”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ndërkohë, tha se anëtarësimi i Finlandës pasqyron kursin antirus të Aleancës dhe paralajmëroi se Moska do të përgjigjet në varësi të armëve që aleatët e NATO-s vendosin atje.
Por Peskov gjithashtu u përpoq të minimizonte ndikimin, duke vënë në dukje se Rusia nuk ka mosmarrëveshje territoriale me Finlandën.
Nuk është e qartë se çfarë burimesh shtesë ushtarake mund të dërgojë Rusia në kufirin finlandez. Moska ka dislokuar pjesën më të madhe të njësive të saj ushtarake më të afta në Ukrainë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha më herët se nuk do të dërgohen më trupa në Finlandë nëse ajo nuk kërkon ndihmë.
“Nuk do të ketë trupa të NATO-s në Finlandë pa pëlqimin e Finlandës”, u tha gazetarëve sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e Aleancës në Bruksel, disa orë përpara se vendi të anëtarësohej.
Vendi tani mbrohet nga ajo që Stoltenberg e quajti “garancia e hekurt e sigurisë” e NATO-s, sipas së cilës të gjitha vendet anëtare zotohen të dalin në mbrojtje të çdo aleati që sulmohet.
Por Stoltenberg refuzoi të përjashtonte mundësinë e mbajtjes së më shumë stërvitjeve ushtarake atje dhe tha se NATO-ja nuk do të lejojë që kërkesat e Rusisë të diktojnë vendimet e organizatës.
“Ne po vlerësojmë vazhdimisht qëndrimin tonë, praninë tonë. Kemi më shumë stërvitje, kemi më shumë prezencë edhe në zonën nordike”, tha ai.
Ndërkohë, Parlamenti i Finlandës tha se uebsajti i tij u godit nga një sulm i ashtuquajtur refuzimi i shërbimit, i cili e bëri faqen të vështirë për t’u përdorur, me shumë faqe që nuk ngarkoheshin dhe disa funksione të padisponueshme.
Një grup hakerësh prorus i njohur si NoName057 (16) mori përgjegjësinë, duke thënë se sulmi ishte hakmarrje për anëtarësimin e Finlandës në NATO.
Pretendimi nuk mund të verifikohej menjëherë.
Grupi i hakerëve, i cili thuhet se ka vepruar me urdhër të Moskës, ka marrë pjesë në një mori sulmesh kibernetike ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj në të kaluarën. Transmetuesi publik finlandez YLE tha se i njëjti grup goditi faqen e Parlamentit vitin e kaluar.
Hyrja e Finlandës, që do të shënohet me një ceremoni të ngritjes së flamurit në selinë e NATO-s, bie në ditëlindjen e vetë organizatës, 74- vjetorin e nënshkrimit të Traktatit themelues të Uashingtonit, më 4 prill 1949. Përkon gjithashtu me një takim të aleancës së ministrave të jashtëm.
Presidenti i Finlandës, ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes do të marrin pjesë në ceremoni.
Turqia u bë vendi i fundit anëtar i NATO-s që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Finlandës të enjten. Ajo do t’ia dorëzojë dokumentin zyrtarisht sekretarit të shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, përpara ceremonisë.
Anëtarësimi i Finlandës bëhet zyrtar kur ministri i saj i Jashtëm ia dorëzon Blinkenit dokumentet që përfundojnë procesin e anëtarësimit. Departamenti i Shtetit i SHBA-së është depoja e teksteve të NATO-s në lidhje me anëtarësimin.
Përktheu: Forca Jashari