Një arritje e madhe inxhinierike! Kështu e cilëson gazetari britanik Robert Hackman tunelin e Porto Palermos, në dokumentarin e realizuar me DritareTV. Fotoreporteri hyri në bazën ushtarake të Porto Palermos dhe tregoi si është ndërtuar ky tunel, brenda të cilit dikur ka pasur edhe reparte mirëmbajtjen e nëndetëseve dhe anijeve, ku strehoheshin shumë njerëz gjatë Luftës së Ftohtë.
“Ky tunel është 650 metra i gjatë me bazë të fortë inxhinierike. Tuneli ka dy porta, njëra në hyrje ndërsa tjetra në detin Jon. Kështu që nëndetëset ose anijet e shpejta mund të vinin në këtë anë të gjirit, të furnizoheshin me karburant e municione dhe më pas të dilnin në anën tjetër. Shumë efektive si metodë, por që nuk u përdor kurrë.
Janë dy dyer të mëdha prej hekuri në të dyja anët e tunelit. Brenda tunelit kishte edhe reparte për mirëmbajtjen e nëndetëseve dhe anijeve. Ndaj shumë njerëz qëndronin këtu gjatë Luftës së Ftohtë. Siç mund ta shihni ende sot janë vendosur disa mjete të shpejta ushtarake.
Është një strukturë e madhe dhe një arritje e madhe inxhinierike për të ndërtuar 650 metra tunel nën këtë shkëmb.
Në hyrje të tunelit janë dy dyer gjigande betoni. Në disa nga bunkerët e artilerisë që gjen nëpër Shqipëri kanë dyer betoni, por këto janë shumë të mëdha.”, tregon fotoreporteri britanik Robert Hackman i cili po punon për një cikël dokumentarësh me DritareTv, që kanë marrë shumë vëmendje, pasi ka shumë shikueshmëri dhe komente. Për më tepër i drejtohet kryesisht një publiku shqiptar, por dhe të huaj, të cilët në verë zgjerojnë shikuesit e DritareTV.