Në mesin e 15 ministrave në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, janë edhe ata të Listës Serbe, Dalibor Jevtic në krye të Ministrisë për Komunitete e Kthim dhe Ivan Milojevic që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal. Këta të dy dje janë zotuar se do të punojnë në interesa të serbëve dhe atyre që i votuan, shkruan Gazeta Metro.
Detyrën dje e morën edhe dy ministra të Listës Serbe, ndonëse Albin Kurti i VV’së gjatë gjithë fushatës por edhe pas fitores, premtoi se Qeveria e tij nuk do të ketë asnjë të tillë.
Ministria për Komunitete dhe Kthim tashmë do të drejtohet nga Dalibor Jevtic, ndërsa ajo e Zhvillimit Rajonal nga Ivan Milojevic, të dy këta anëtarë të Listës Serbe.
Pasi pranuan detyrën, të dy ministrat u shprehën se do të punojnë në interes të serbëve dhe të një jetese sa më të mirë për ta, shkruan Gazeta Metro.
“Do punojmë në interes të atyre që votuan për Listën Serbe. Do të luftojmë që serbve t’u bëjmë një jetesë sa më të mirë, më të lehtë dhe do t’u përmirësojmë ata. Nuk jemi në koalicion me VV’në, por kemi marrë shumicën e votave”, është thënë nga kjo parti, pasi zyrtarët e saj pranuan detyrat.
Kush janë Dalibor Jevtic dhe Ivan Milojevic?
Dalibor Jevtic, anëtari ‘besnik’ i Listës Serbe më herët kishte qenë Ministër për Zhvillim Rajonal. Ai tashmë është i njohur në skenën politike kosovare.
Ministrinë që e drejtonte dikur Jevtic, tashmë do të drejtohet nga një bashkëpartiak i tij, e që është Ivan Milojevic.
Ministri i ri për të cilin dihet pak, e që është ‘fantazmë’ edhe nëpër rrjete sociale, ka punuar edhe më herët nëpër Institucione të Republikës së Kosovës.
Ivan Milojevic për disa vite ka qenë i punësuar në Zyrën për Çështje të Komuniteteve që i përket asaj të Kryeministrit, atë kohë Ramush Haradinajt, shkruan Gazeta Metro.
Ndryshe, Qeveria Kurti e përbërë nga koalicioni VV-LDK është votuar dje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 66 vota pro dhe 10 abstenime.
Ky koalicion i ka siguruar secilës parti nga 6 ministri, Vjosa Osmanit të LDK’së postin e Kryeparlamentares, si dhe tre ministri për partitë e komuniteteve pakicë.