Detaje të reja tronditëse shënjestrojnë bashkëshortin si të dyshuarin kryesor të vrasjes së Carolinës, nënës 20-vjeçare në Greqi.
Një element kryesor në zbardhjen e ngjarjes është ora biometrike që Carolinë mbante në dorë që tregon ngritjen dhe uljen e pulsit dhe kohën e saktë të vdekjes së nënës së re.
Sipas të dhënave, rezultoi se ka një mospërputhje mes orarit në të cilin bashkëshorti i Carolines, Charalambos dëshmoi se ndodhi ngjarja dhe orarit ekzakt që zemra e 20-vjeçares rrahu për herë të fundit.
Në të njëjtën kohë, kamerat e sigurisë së banesës thuhet se kanë regjistruar detajet e fundit të natës kur ndodhi ngjarja para se karta e memories të zhdukej. Në këto fotografi që policia ka në dispozicion, duket se Babis, bashkëshorti i 20-vjeçares është i shtrirë në divan në katin përdhes dhe mban foshnjën në krahë.
Më pas karta i është hequr kamerave, por sërish edhe në këtë rast ka një mospërputhje oraresh!
Me këto dy detaje të reja, policia greke ka vënë në fokus të hetimeve, bashkëshortin e Carolinës, si të dyshuarin kryesor të ngjarjes tragjike.
Babis Anagnostopoulos, bashkëshorti i 20-vjeçares aktualisht po dëshmon për vrasjen, “si i vetmi dëshmitar okular” i krimit, raportojnë mediat greke.
Ngjarja ndodhi një muaj më parë, kur tre grabitës që hynë në shtëpinë e çiftit grek me qëllim për të grabitur vranë 20-vjeçaren Carolinë pranë foshnjës së saj.