Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka takuar liderët opozitar, si shkak e zhvillimeve në Veri të vendit, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj lëshoi takimin me Kurtin teksa duke u larguar shau, se sipas tij Kurti po mbante ligjërata.
Një gjë të tillë nuk e ka mohuar vetë Haradinaj.
“Unë jam munduar ta ballafaqojë Kurtin me rreziqet, me gabimet, me pasojat që do i ketë. Po, nuk e kursej as gjuhën, e asnjë argument tjetër. Mos shko kësaj rruge se je duke e mbytur veten, vendin tënd, subjektin tënd e Qeverinë tënde. Shpresoj që të ketë pasur efekt tek ai, sepse ato nuk janë gjuha ime, por janë pasoja që do i marrë Kosova, por edhe ai vetë së bashku me partinë e tij. Çdo sekondë tash e tutje është tepër pa u kthyer te kërkesa amerikane”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se nga përvoja e tij e mëhershme, është shumë më e lehtë t’i vlerësojë këto situata aktuale me kohë.
“Në takimin e djeshëm jam munduar ta ballafaqojë Kurtin me dramat, sepse tani është një situatë e acaruar. Jam munduar ta kthejë në realitet, i kam thënë mos shih ëndrra, hyn në temë”, tha tutje Haradinaj në Tëvë1.
Ish-kryeministri tha se para historisë ai ndihet i pastër, pasi sipas tij, Kurtin e ka paralajmëruar shumë më herët për ato që do pasojnë tutje.
Në takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti ishin të pranishëm edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.