Gjatë ditës së tretë të qëndrimit të tij në New York, kryeministri, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se kryeministri Kurti e informoi sekretarin Parolin mbi mbështetje dhe mbrojtjen institucionale që Kosova ofron për objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Me themelimin e misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, që shënon avancim të raporteve bilaterale, Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë treguar vullnetin për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve. Takimi i sotëm në New York ishte mundësi shumë e mirë për të vijuar diskutimet mbi çështjet dhe fushat që bashkëpunimi i deritanishëm të fuqizohet edhe më tej.
Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Parolin rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë. Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe që, në këtë drejtim, Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt”, thuhet në njoftim.
Për më tepër, Kurti falënderoi sekretarin Parolin për mikpritjen e ofruar gjatë vizitës së tij në Selinë e Shenjtë vitin e kaluar dhe e ftoi atë që, si Kosova, edhe Selia e Shenjtë të hapë një mision në Kosovë.
“Duke e falënderuar për takimin dhe për mikpritjen që i ishte bërë atij në Selinë e Shenjtë në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Kurti e ftoi sekretarin Parolin që sikurse Kosova, edhe Selia e Shenjtë të hap misionin e saj në Republikën e Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.