Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës kanë lansuar programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, është shprehur se programi e fuqizon Kosovën në sektorin e energjisë, duke shtuar se SHBA synon zgjerimin e investimeve private.
“Është e rëndësisë së madhe sepse këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat. Këtu kemi ‘Kompaktin” e MCC-së me 236 milionë, duke përfshirë 202 milionë dollarë nga Qeveria amerikane. Investimet tona substanciale e demonstrojnë konfidencën dhe zhvillimin e Kosovës e rritjen e saj”, ka thënë Hovenier.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ky program ndihmon në fuqizimin e vendit dhe se ai ndikon në transformimin e sektorit të energjisë.
“’Kompakt’ përveç një grant, është simbol i mbështetjes pakompromis në marrëdhëniet strategjike mes shteteve tona. SHBA-ja ka mbështetur Kosovën në ditët më të vështira. Kompakti që po e lansojmë nuk është vetëm investim në energji, por është investim në të ardhmen dhe njerëzit e saj”, ka thënë Osmani.
E, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se programi është arritje e tranzicionit të energjisë.
“E vendos Kosovën në ballë të zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme. Përmes partnerit tonë, Kosova do të ketë së paku 350 MË rezerva, duke e bërë shtetin me ruajtje të energjisë ndër vendet që ruajnë më së shumti energji”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, zv.presidenti i MCC-së, Cameron Alford, e ka vlerësuar të rëndësishëm për sigurinë e energjisë programin “Kompakt”. Ka shtuar se me program u ofrohen mundësi karriere të rinjve që duan të jenë në sektorin e energjisë.