Liderët opozitarë nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani, për të marrë pjesë në manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri” që po mbahet në Bllacë me rastin e përvjetorit të 23-të të Ditës së Lirisë.
Zyra e Presidentes i ka thënë KOHËS se Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë ftuar, por se kanë zgjedhur ta bojkotojnë pjesëmarrjen në këtë manifestim të organizuar nën patronatin e Presidencës së Kosovës.
“Opozita ka refuzuar të marrë pjesë në manifestimin qendror në Bllacë, për Ditën e Lirisë, megjithëse ishin të ftuar. LDK-ja dhe AAK-ja e kanë konfirmuar mosardhjen”, ka thënë këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.
Në këtë manifestim të pranishëm janë kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, si dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë, duke përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier.
Krasniqi i PDK-së dhe Haradinaj i AAK-së kanë zgjedhur ta përkujtojnë Ditën e Lirisë duke postuar në llogaritë e tyre në Facebook.