Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, do të udhëtojë në Bruksel për ‘samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s’ këtë muaj, thuhet në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë.
Takimi i cili do të mbahet më 24 mars përkon me përvjetorin e 23-të të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kur edhe aleanca veriatlantike nisi sulmet ajrore mbi forcat serbe në Kosovë dhe Serbi, përcjell Klankosova.tv.
Në samitin e thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Biden do të “diskutojë përpjekjet e vazhdueshme për parandalimin dhe mbrojtjen në përgjigje të sulmit të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe për të riafirmuar angazhimin e hekurt ndaj aleatëve tanë të NATO-s”, njoftoi sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan do të marrë pjesë edhe në samitin e Këshillit Evropian, të planifikuar për 24-25 mars.
Ai takim do të përfshijë diskutimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë dhe ofrimin e mbështetjes humanitare për viktimat e luftës.
Ndryshe Biden ka bërë dy udhëtime ndërkombëtare që nga marrja e detyrës, dhe të dyja vizitat e vitit 2021 ishin në Evropë. Ai vizitoi Brukselin qershorin e kaluar, duke riafirmuar mbështetjen për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.