Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deponuar Kallëzim Penal në Prokurorinë e Shtetit kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit, pas deklaratës së tij ku ka përmendur vëllavrasjen.
Kjo deklaratë e Bahtirit është cilësuar nga presidenti i vendit, si sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës, dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe nxitje e përçarjes dhe mos durimit.
Sipas kallëzimit penal, Bahtiri me këto deklarime e ka frikësuar opinionin publik dhe ka bërë kërcënime direkte ndaj presidentit të vendit duke tentuar që të ndryshojë rendin kushtetutës së republikës së Kosovës, të përmbysë institucionet më të larta në vend si dhe pengojë presidentin që të kryejë detyrën zyrtare.
Gjithashtu, sipas presidentit me këtë deklaratë janë ndier të kërcënuar edhe familja e tij dhe vetë ai.
“Marrë parasysh natyrën e veprës, duke u nisur nga fakti që unë dhe familja ime ndjehemi të kërcënuar nga deklarata e z. Bahtiri kërkoj nga institucionet që në pajtim me legjislacionin në fuqi të marrin veprimet përkatëse”, thuhet në kallëzim penal.
Këto vepra penale janë të përcaktuara edhe në Nenin 114 dhe Nenin 121 të Kodit Penal nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës.
Më datën 30 mars 2020, Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje kishte deklaruar se nuk do ta lëshojnë Qeverinë pa zgjedhje, duke përmendur edhe vëllavrasjen.
“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe do t’ia kallëzojmë secilit vendit. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hyni në një konflikt vëllavrasje, sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshuar me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj, sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe t’i shpallë zgjedhjet…”, kishte deklaruar Bahtiri.