Nga Korça, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri tha se pasi të fitojnë luftën me Rusinë, njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë hapi i dytë.
Volodymyr Shukrov u shpreh se sot Ukraina është në zjarrin e luftës, ndaj fillimisht duhet të fitojnë këtë luftë më pas do të shikojnë edhe çështje të tjera.
“Ne e dimë këtë çështje, e dimë këtë situatë, dimë gjithçka në lidhje me Kosovën, por unë dua të theksoj se Ukraina sot ndodhet në zjarrin e luftës dhe ju kërkoj të na lini të dalim nga zjarri i luftës dhe pasi të fitojmë, në fund t’i kthehemi temave të tjera. Sot për sot, gjëja më e rëndësishme për ne është të fitojmë luftën dhe të dalim nga ky tmerr i luftës që po ndodh në Ukrainë. Kosova do të jetë hapi i dytë.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shukrov, gjithashtu foli për situatën e luftës që po zhvillohet në frontet mes Ukrainës dhe Rusisë, ku theksoi se shumica e territoreve tashmë janë çliruar nga pushtimi Rus.
Ambasadori foli dhe për formulën e paqes, e cila është propozuar nga presidenti Zelensky me 10 pika, por konsideroi situatën aktuale të luftës shumë të ndërlikuar.
“Zona e frontit është 1500 kliometra, një zonë tepër e gjerë ku po përplasen fuqitë ushtarake të Rusisë dhe Ukrainës”, tha ambasadori Shukrov.